Kallëm: Përcillet Në Banesën E Fundit Zjarrfikesi Që Ra Në Krye Të Detyrës
FIER, 12 maj /ATSH, Rr.Isufaj/ - Edmond Meçko, punonjësi i zjarrëfikëses që humbi jetën natën e kaluar në krye të detyrës, u përcoll të mërkurën për në banesën e fundit.
Në ceremoninë mortore mori pjesë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, zv/ministri i pushtetit vendor, Ferdinand Pone, krahas familjarëve, shokëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor në kortezhin e gjatë që përcolli punonjësin e përkushtuar në banesën e fundit.
Edmond Meçko, 46 vjeç, baba i dy fëmijëve humbi jetën të martën në mbrëmje ndërsa përpiqej të nxirrte dy fëmijë në një shtëpi të përfshirë nga zjarri në Fier. Punonjësi i pafat u rrëzua nga ballkoni dhe vdiq në spital si pasojë e hemorragjisë së brendshme.
Para varrimit, trupi i tij u vendos në një lokal në fshatin e tij të lindjes, në Kallëm, ku u kryen homazhe në nder të tij./ch/