Radushë, 12 maj, NOA - Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se janë vrarë katër persona, që ishin pjesëtarë të një grupi për kontrabandë të armëve, të cilët nuk i janë përgjigjur urdhërit për ndalim të policisë në fshatin Sllivare e Epërme në rajonin e Radushës.
“Pas njoftimeve paraprake për tregti me armë të paligjshme, policia ka kryer një aksion në rajonin e Radushës. Policia kishte zënë një pritë dhe rreth orës 2 pas mesnate gjatë tentimit të policisë për të ndaluar një furgon, personat që gjendeshin në të kanë hapur zjarr ndaj policisë. Pjesëtarët e policisë menjëherë i janë kundërpërgjigjur sulmit, me çrast janë vrarë katër personat që ishin në furgon. Pas kryerjes së kontrollit, policia ka gjetur sasi të konsiderueshme të armëve”, ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, duke mos shpalosur detaje të tjera.
Një nga versionet e para pranë burimeve të MPB-së bëjnë të ditur se një furgon që po transportonte armatim në rrugën Radushë-Rashçë nuk është ndaluar në një pikë kontrolli të policisë. Siç bëhet e ditur, personat në furgon pasi që nuk janë ndaluar kanë shtënë me armë në drejtim të policisë, e cila më pas i është kundërpërgjigjur. Nga kjo përleshje kanë mbetur të vrarë katër persona që gjendeshin në furgon. Përleshja e armatosur ka zgjatur deri në orën tre të mëngjesit. Policia theksoi se përveç konfiskimit të armatimit, ka arrestuar edhe dy persona.
Në lokacionin ku ka ndodhur përleshja janë përqendruar forca të mëdha policore të shoqëruara me helikopterë. Ky incident pasoi pas atij para dy javëve në rajonin e Studenës, tre kilometra në afërsi të fshatit kufitar Bllacë, ku u gjetën katër bunkerë me armë, ndërsa pati edhe të plagosur nga ana e grupit të armatosur, që u thirr më pas në një komunikatë se bëhet fjalë për njësite të UÇK-së.
NOA-INA