English

Kosove - Deklarate E Keshillit Drejtues Te Partise Demokratike Te Kosoves

PRISHTINE, 12 Maj/ATSH-B.Jashari/. - "Qeveria e Kosovës, udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, gjatë viteve të pavarësisë ka treguar lidership dhe përkushtim në qeverisjen e vendit", thuhet ne nje deklarate te Keshillit Drejtues te Partise Demokratike te Kosoves pas mbledhjes se zhvilluar sot. "Partia Demokratike e Kosovës që nga fillimi ka qenë e përkushtuar për të forcuar shtetin ligjor, me qëllim që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh pozitën shoqërore, politike dhe institucionale, nuk mund të jenë mbi ligjin as kundër sundimit të ligjit. Partia Demokratike e Kosovës është bindur që gjatë kësaj legjislature ka qeverisur me legjitimitet të plotë, duke hapur perspektiva të reja për Kosovën dhe qytetarët e saj", theksohet ne deklarate. "Ministri Limaj ka bërë punë të mëdha jo vetëm në infrastrukturën rrugore, për çka është mbështetur nga opinioni i gjerë. PDK-ja dhe qytetarët e Kosovës kanë pasur besim në pastërtinë e tij, dje në Hagë, e po ashtu edhe sot besojmë plotësisht dhe e mbështesim Fatmir Limajn. Të njëjtën gje besojmë që do ta vërtetojë edhe drejtësia, e cila duhet të lirohet nga çdo ndikim e ndërhyrje politike", thuhet ne deklaraten e PDK. "Këshilli Drejtues dhe Kryesia e PDK-së kërkon nga EULEX-i të ushtrojë përgjegjësitë e kompetencat që ka me Kushtetutë dhe Ligje për vendosjen e rendit e të ligjit në tërë teritorin e Republikës së Kosovës. Ne jemi për sundimin e ligjit, por nuk jemi për ndjekje politike e as për politizim të këtij procesi", theksohet ne perfundim te deklarates se PDK./a.ke/
KOMENTE