English

Kosove - Eulex: Zhvarrosen Mbetjet Mortore Te Tete Personave Te Pagjetur

PRISHTINË, 12 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Në rajonin e Vushtrrisë, Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF) bëri sot zhvarrimin e mbetjeve mortore të tetë personave të pagjetur. "Ky është rezultat i hetimeve të thella arkivore të kryera në vitin 2009, që ka përfshirë shqyrtimin e shumë dosjeve dhe shfrytëzimin e burimeve të ndryshme", njoftoi EULEX. Bëhet e ditur se që nga fillimi i punës së Misionit EULEX në Kosovë, më 9 dhjetor 2008, ai ka bërë zhvarrimin e mbetjeve mortore të 122 personave. Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore bashkëdrejtohet nga EULEX-i dhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës. OMPF-ja është e specializuar për një varg të gjerë të fushave të mjekësisë ligjore. Objektivat kryesore të saja janë përcaktimi i fatit të personave të pagjetur si pasojë e konfliktit në Kosovë dhe pas tij, fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë përmes ofrimit të provave shkencore të mjekësisë ligjore që mund të ndihmojnë në kërkimin e drejtësisë, si dhe të jetë në qendër të zhvillimeve lidhur me mjekësinë ligjore në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, përfundon komunikata e EULEX. Në Kosovë kërkohet ende zbardhja e fatit edhe të 1862 të pagjeturve, njëmbëdhjetë vite pas luftës, pas së cilës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur. /a.ke/
KOMENTE