English

Kukës: Shfrytëzim, Por Dhe Ruajtje Te Bimëve Medicinale Dhe Aromatike

KUKËS, 12 maj/ATSH-R.Hoxha/ - Muaji maj shënon fillimin e punës për mbledhjen e tregtimin e bimëve medicinale dhe aromatike në zonën verilindore, pasi si veprimtari me mjaft fitimprurës për banorët e zonave rurale, është edhe një pasuri që gjithnjë e më tepër po tërheq vemendjen e biznesit privat të bimëve mjekësore për eksport. "Është një nga pasuritë e mëdha që kanë banorët e zonës verilindore, për të cilën ka ardhur në rritje interesi për ta shfrytëzuar," tha për ATSH-në, prefekti i Kukësit, Elez Maçi. Thuajse të njëjtën gjë pohon edhe botanisti Besnik Hallaçi. "Masivet e mëdha pyjore të kësaj zone përmbajnë shumë bimë medicinale e aromatike, problemi është se ato po shfrytëzohen pa ndonjë kriter, gjë që sjell rrezikun e zhdukjes," thotë ai. Në pyjet e livadhet e qarkut të Kukësit rriten mbi 120 lloje të ndryshme bimësh mjekësore, ku vend kryesor e zënë sherbeli, boronica, shtogu, agulicja, lule manushaqja etj. Që tani nis interesi jo vetëm i biznesmenëve privatë, por edhe i banorëve për mbledhjen e grumbullimin e bimëve medicinale e aromatike. "Të them të drejtën, këtë vit ka një interes më të madh nga biznesmenët, që tani kanë kontaktuar me ne për grumbullimin e shërbeles, agulicës e lule manushaqes që në zonën tonë janë me shumicë," thotë Selim Sadria, nga fshati Cajë. Por burimet zyrtare të Zyrës Rajonale të Tatim Taksave thonë për ATSH-në, se "nuk ka asnjë firmë të licensuar për grumbullimin e tregtimin e bimëve medicinale". Ato shtojnë se është një paradoks që duhet ndryshuar, pasi shfrytëzimi i një pasurie të tillë nuk duhet lejuar të shfrytëzohet pa kritere siç ndodh aktualisht, por e kontrolluar, pasi prej tyre duhet të nxjerrë të ardhura edhe pushteti vendor. "Kemi shumë pyje, por nga shfrytëzimi i kësaj pasurie nuk kemi vjelë të ardhura deri tani. Kjo edhe për faktin se kjo pasuri po shfrytëzohjet nga banorë me të ardhura mjaft të ulta", thotë kryetari i Bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka. Problemi është se ndryshe nga pasuria drusore, që gjithsesi ka një lloj kontrolli, për bimët medicinale e aromatike edhe pse eksportohen, ka pak kontroll, aq sa ka çuar deri në zhdukjen e disa llojeve. Të paktën kështu pohon Islam Selami, nga fshati Bushtricë. "Me grumbullimin e bimëve medicinale, unë siguroj bukën e fëmijëve, por ato po shfrytëzohen sipas parimit "sot për sot" dhe kjo ka çuar drejt zhdukjes së mështeknës, rrushariut, dëllinjës së zezë etj," thotë ai. Shumë prej këtyre bimëve shfrytëzohen në mënyrë artizanale për shërimin e sëmundjeve të lloj llojshme nga banorët vendas. Kështu vetëm në zonën e Gorës në këtë periudhë janë mbi 20 lloje të ndryshme bimësh e lulesh që shërbejnë për luftimin e shumë sëmundjeve në blegtori. Ndërsa bimë si rrushariu që shërben për qetësues, agulicja për zbutjen e kollës në rastet kur njeriu ka temperaturë të lartë, boronica që largon diarrenë. Por ato përdoren edhe për prodhim të pijeve freksuese, si bari i uzës që përdoret kryesisht për esencë të pijëve etj. Ndaj të gjitha këto lloj bimësh gjenden thuajse në çdo periudhë në shtëpitë e banorëve të zonave rurale të qarkut. Interesi për shfrytëzimin e kësaj pasurie ka bërë që vitet e fundit në disa fshatra, shumë prej bimëve të kultivohen edhe në tokat bujqësore produktive. Kështu në fshatin Surroj, ku Gëzim Vata ka mbjellë një sipërfaqe jo të vogël me shërbele, në fshatin Novosej Selman Noka që ka mbjellë gentianë, një bimë medicinale mjaft e kërkuar, por që është drejt zhdukjes etj. "Gjithsesi ndryshimi ka nisur, kryesorja është mbrojtja e kësaj pasurie nga komuniteti," thotë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Arif Rexhmati./ch/
KOMENTE