English

Lohan: Dialog Konstruktiv Mes Partive Politike

- Delegacioni i BE-së në Tiranë organizon një pritje me rastin e Ditës së Evropës - TIRANË, 12 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë organizoi sot në Hotel 'Rogner' një pritje me rastin e Ditës së Evropës, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni, Shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, theksoi ndër të tjera nevojën e dialogut politik mes palëve. "Në deklaratën e tij 60-vjet më parë, Robert Shumani flet për arritje konkrete dhe kjo më sjell ndërmend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria, si kusht për integrimin e saj në BE. Shumani flet për eliminimin e konfliktit mes armiqve të vjetër dhe kjo përmban kuptim për zgjidhjen e konflikteve të brendshme për Shqipërinë. Ndaj nuk është rastësi që Këshilli i Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë e BE-së, i zhvilluar dje, theksoi rëndësinë e një dialogu politik dhe konstruktiv mes aktorëve dhe partive politike më të mëdha në vend", theksoi Lohan. Sipas tij, "BE, si në të kaluarën dhe në të tashmen, ka plot shembuj që tregojnë si ka ndihmuar dialogu dhe bashkëpunimi aktiv për zgjidhjen e problemeve dhe tejkalimin e krizave". Ambasadori Lohan ndau me të ftuarit disa pjesë nga deklarata e 9 majit 1950 e Robert Shumanit, që hodhi themelet e asaj që njihet Bashkimi Europian. "Europa nuk do të ndërtohet e gjitha menjëherë, por ajo do të krijohet nga arritje konkrete që si fillim prodhojnë solidaritet 'de facto'. Afrimi i kombeve të Europës kërkon eliminimin e konfliktit të vjetër sa shekujt mes Francës dhe Gjermanisë", citoi Deklaratën kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë. Duke iu rikthyer aktualitetit, Lohan iu referua solidaritetit brenda BE-së dhe konkretisht marrëveshjes mes Gjermanisë e Francës për të prodhuar një paketë me masa të forta për mbrojtjen e euros dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në Europë. Në përfundim të fjalës së tij shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë uroi që "urtësia e Robert Shumanit të udhëheqë BE-në, Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor jo vetëm në të ardhmen e afërt, por edhe përtej saj". /s.s./
KOMENTE