Lsi Apel Forcave Politike Të Ulen Në Dialog Për Zgjidhjen E Krizës Politike Në Vend
TIRANË, 12 Maj/ ATSH-Suada Daci/.- Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri sot apel forcave politike të ulen në dialog për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në vend.
Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha se "sot në ditën e 12 të grevës së urisë dhe protestës së Partisë Socialiste, dua të shpreh shqetësimin në emër të LSI-së për të ulur palët në dialogun politik, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje për situatën politike të krijuar në vend, pasi kauza jonë e përbashkët, pavarësisht bindjeve partiake, është Shqipëria Europiane".
Duke iu referuar deklaratës së Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Stefan Fule, Rama u shpreh se "edhe z. Fule foli dje në lidhje me domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që respekton Kushtetutën, institucionet si dhe gjykatat e vendit".
Rama tha se, "sot është koha për të mos vazhduar më tej me retorikë, dhe as më gjuhën e presioneve, por është koha për të gjetur atë zgjidhje që presin të gjithë qytetarët, por që rekomandojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë".
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, shprehu keqardhje për sakrificën që bëjnë deputetë dhe simpatizantë të PS-së, duke e ftuar lidershipin e PS-së, Edi Rama, "të kuptojë domosdoshmërinë e veprimit politik dhe për të parandalur rrezikimin e mëtjeshëm të jetës së grevistëve"./s.s./