Marschall: Shqipëria Ka Patur Përparim Të Madh Në Luftën Kundër Korrupsionit
- Drejtori i Transparency International në Departamentin e Europës dhe Azisë Qendrore, Miklos Marschall, vlerëson masat antikorrupsion të qeverisë shqiptare -
TIRANË, 12 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Drejtori i Transparency International në Departamentin e Europës dhe Azisë Qendrore, Miklos Marschall, deklaroi sot se "Shqipëria ka patur përparim të madh në luftën kundër korrupsionit", ndërsa vlerësoi masat e qeverisë shqiptare për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për të bërë më tërheqës klimën e biznesit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, z. Marschall u shpreh se ende mbetet për të bërë përsa i përket refomave në sektorin e administratës publike.
"Më bën përshtypje energjia për aspiratën europiane të Shqipërisë. Ne ndonjëherë mund të mos e kuptojmë konfliktin e nxehtë politik që keni ju këtu. Ky vend është në rritje në të gjitha aspektet, pavarësisht nga problemet. Është e vërtetë që keni akoma një shkallë të konsiderueshme varfërie që duhet ta trajtoni dhe sigurisht që korrupsioni vazhdon të mbetet ende një çështje serioze, por ne shikojmë një ndryshim të rëndësishëm drejt modernizimit", tha ai.
Lufta ndaj korrupsionit bëhet e mundur vetëm nëse ne punojmë të gjithë së bashku, tha z. Marschall, duke vlerësuar përpjekjet antikorrupsion të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare.
"Në Shqipëri shoh një vullnet të madh politik dhe mirëkuptimin se reformat janë mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin. Reformat kundër korrupsionit duhet të përqendrohen në politikat që nxisin zhvillimin ekonomik. Më bën përshtypje paketa që po zhvillon kjo qeveri për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në sajë të kësaj pakete, ekonomia shqiptare nuk u ndikua aq shumë nga kriza ekonomike botërore", tha ai.
Grupi i dytë i reformave duhet të përqendrohet në mjedisin e biznesit, tha z. Marschall, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar rezultate pozitive në këtë drejtim. "Lufta kundër korrupsionit kërkon gjithmonë një lloj konsensusi, ndaj shpresoj se elita politike në Shqipëri do të gjejë një mënyrë për të luftuar korrupsionin. Ne do mbetemi kritizerë të ashpër, por edhe partner të mirë", tha ai.
Çdo program i suksesshëm kundër korrupsionit, sipas z. Marschall, kërkon të paktën 3 komponentë kryesorë, një ndër të cilët është vullneti politik.
"Reformat kundër korrupsionit zhvillohen paralelisht me reformat në fusha të tjera, si në fushën makroekonomike, fushën sociale, administratën publike etj, sepse korrupsioni është një reagim i institucioneve që nuk funksionojnë", tha ai.
Sipas z. Marschall, "shpesh korrupsioni nuk është një zgjedhje, por është e vetmja mundësi për shumë njerëz, pasi institucionet që duhet të mbrojnë shtetin ligjor nuk funksionojnë". Oponenti i tretë thelbësor në luftën kundër korrupsionit, sipas z. Marschall, "është shoqëria e fortë civile, që duhet të bëjë trysni në luftën kundër korrupsionit".
/s.s./