English

Meta-Amado: Shqipëria, me ambasadë dhe Dhomë Tregëtie në Portugali

Lisbonë, 12 maj, NOA – Hapja e ambasadës së Shqipërisë në Portugali si edhe çelja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri, duke shënuar në këtë mënyrë një stad i ri të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve, kanë qenë në qendër të takimit që u zhvillua sot në Lisbonë mes ministrit të Jashtëm Ilir Meta dhe homologut të tij, portugez Luis Amado

Ata kanë marrë pjesë në inaugurimin e hapjes së këtyre dy institucioneve të reja në Lisbonë, ndërsa bashkëpunimi i mirë politik mes dy vendeve, integrimi evropian i Shqipërisë, liberalizimi i afërt i regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor bashkë me konferencën e Sarajevës, kanë qenë tema të tjera në qendër të bisedimeve të zhvilluara mes tyre.

Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, duke theksuar këtu edhe miqësinë historike që ekziston mes dy popujve. Gjithashtu, ai përshëndeti qëndrimin përkrahës të Portugalisë ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimit të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana e tij, Amado duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, u shpreh se Portugalia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë si për marrjen e statusit të vendit kandidat ashtu dhe për përmbylljen me sukses dhe sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave. Gjithashtu, Amado vlerësoi edhe rolin e qëndrueshëm konstruktiv që Shqipëria luan në rajon si një forcë stabiliteti.

n.e/NOA

KOMENTE