Tiranë, 12 maj, NOA – Motorët e ujit, apo mjete lundruese që janë në përdorim të ministrive etj, do të lejohen të lundrojnë në detet shqiptare, megjithë kufizimet që parashikon ligji ende në zbatim i moratoriumit të skafeve, i miratuar që në vitin 2004 dhe i ripërtërirë nga qeveria Berisha.
Kështu, sipas një vendimi të sotëm të qeverisë, lejohet që të qarkullojnë në ujërat tona territoriale mjetet lundruese, në përdorim të organeve shtetërore, si Presidenca, ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme etj; si edhe ato në shërbim të porteve.
Por qeveria lejon edhe lundrimin e mjeteve të destinuara për peshkim, të klasifikuara si të tilla përmes Regjistrit Detar Shqiptar, duke përfshirë këtu edhe mjetet që shërbejnë për transport mallrash, me të njëjtat kritere klasifikim.
“Por do të lejohen të lundrojnë edhe mjetet që shërbejnë për transport pasagjerësh, të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si të tilla”, parashikon vendimi i qeverisë.
Në fund, ai shton se edhe motorët e ujit, do të lejohet të lundrojnë në detet shqiptare, por në një distancë jo më të vogël se 100 - 300 metra dhe jo më larg se 1 milje nga bregu.
Vendimi i plotë:
V E N D I M
PËR
MJETET MOTORIKE LUNDRUESE QË LEJOHEN TË QARKULLOJNË NË ZBATIM TË MORATORIUMIT “PËR MJETET MOTORIKE LUNDRUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 1 e 3, të ligjit nr.10220, datë 4.2.2010, “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, të ligjit nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, dhe të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e mjeteve motorike lundruese me flamur të huaj dhe/ose në pronësi të personave a të subjekteve të huaja, si dhe të mjeteve motorike lundruese shqiptare, të përfshira në kategoritë e mëposhtme, të qarkullojnë në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë. a) Mjetet motorike lundruese, në përdorim të organeve shtetërore, si më poshtë vijon:
i. Presidentit të Republikës; ii. Kryeministrisë; iii. Ministrisë së Mbrojtjes; iv. Ministrisë së Brendshme; v. Ministrisë së Financave; vi. Ministrive të tjera dhe institucioneve në varësi të tyre, kur këto mjete përdoren brenda veprimtarive të lejuara në Kodin Detar dhe sipas marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
b) Mjetet motorike lundruese që përdoren në shërbimin portual, ku bëjnë pjesë:
i. mjetet motorike lundruese në pronësi ose në përdorim të ndërmarrjes së mjeteve të shërbimeve detare dhe të subjekteve private, të pajisura me leje për shërbimet portuale nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit; ii. mjetet në përdorim të porteve.
c) Mjetet motorike lundruese të destinuara për peshkim, ku bëjnë pjesë mjetet motorike lundruese, të cilat kanë fituar klasin si mjete peshkimi, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë të regjistruara si të tilla në regjistrin e mjeteve të peshkimit, në mbështetje të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995, “Për peshkimin dhe akuakulturën”. ç) Mjetet motorike lundruese që shërbejnë për transport mallrash, ku bëjnë pjesë mjetet që kanë fituar klasin për transport detar mallrash, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë pajisur me leje nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. d) Mjetet motorike lundruese që shërbejnë për transport pasagjerësh, të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar për transport pasagjerësh dhe të licencuara për këtë veprimtari nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. dh) Motorët e ujit, të cilët vihen në përdorim në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.
2. Në kuptim të shkronjës “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, “Motorët e ujit” janë mjete rekreative (çlodhëse), të cilat vihen në lëvizje me anë të një motori turbo, i përshtatshëm për të lëvizur me shpejtësi të madhe. Për këta motorë veprohet, si më poshtë vijon:
a) Në funksion të lejimit të përdorimit të tyre, zbatohen dispozitat e mëposhtme:
i. Këto mjete lundruese, pasi regjistrohen dhe pajisen nga Kapiteneria e Porteve me lejen e lundrimit, regjistrohen në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në Policinë e Shtetit, ku dhe pajisen me certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues. Këto akte vërtetojnë përshtatshmërinë e gjendjes teknike të mjetit dhe plotësimin e të gjitha kritereve të përdorimit të përcaktuara në këtë vendim dhe në urdhëresën e njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, të nxjerrë sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të këtij vendimi. Kapiteneria e Porteve, si dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, sa herë që lëshojnë ose refuzojnë aktet administrative të sipërpërmendura, njoftojnë institucionin tjetër, si dhe njësinë përkatëse të qeverisjes vendore të vendit ku kryhet veprimtaria, duke u dërguar bashkëlidhur kopje të praktikës dhe të vendimit të marrë. ii. Strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, si dhe ato të policisë së bashkisë/komunës përkatëse, mbikëqyrin veprimtarinë e përdorimit të mjeteve dhe, sa herë që vërejnë shkelje të kritereve të përdorimit, zbatojnë sanksionet e parashikuara me ligj, si dhe njoftojnë Kapitenerinë e Porteve, duke propozuar ose duke ndërmarrë, sipas kompetencave, pezullimin a revokimin e lejes së lundrimit dhe/ose të certifikatës së përdorimit.
b) Njësitë e qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa të posaçme për kriteret e përdorimit të motorëve të ujit, të cilat duhet të trajtojnë çështje specifike për këta motorë dhe të jenë në përputhje me rregullat e caktuara më poshtë:
i. Mjetet të përdoren nga shtetas me zotësi të plotë për të vepruar (të aftë fizikisht dhe mendërisht e që kanë mbushur moshën 18 vjeç). ii. Të përcaktohet orari i përdorimit të motorëve të ujit; iii. Zonat (vendet) e përdorimit të motorëve të ujit të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga deti dhe distancat e ushtrimit të lundrimit; iv. Përdorimi i motorëve të ujit të lejohet në një distancë jo më të vogël se 100 - 300 metra (sipas thellësisë së ujit) dhe jo më larg se 1 milje nga bregu; v. Largimi dhe afrimi në breg të bëhet me shpejtësi të reduktuar 4 nyje; vi. Të mos lejohet afrimi i motorëve të ujit në një distancë më të vogël se 200 metra tek mjetet e tjera lundruese që janë në lundrim, në spirancë, në radat e porteve detare, etj.; vii. Personat që kanë në pronësi dhe në përdorim mjet lundrues (motor uji), mbajnë përgjegjësi për:
- bërjen të njohur përdoruesve të rregullave e të kritereve të përdorimit të mjetit; - mbajtjen nën kontroll, si nga pikëpamja vizuale, ashtu edhe nëpërmjet komunikimit e komandimit në distancë të mjetit, gjatë gjithë kohës së lëvizjes së lëvizjes së tij; - pajisjen e veshjen e përdoruesve me mjetet e shpëtimit.
c) Urdhëresat e nxjerra nga njësitë e qeverisjes vendore, si dhe çdo ndryshim i bërë në to, u njoftohen Kapitenerisë së Porteve, Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, në Policinë e Shtetit, dhe Rojës Bregdetare.
3. Ngarkohen Policia e Shtetit, Kapiteneria e Porteve, Roja Bregdetare dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
n.e/NOA