English

Policia Nuk Ka Perdorur Gaz Lotsjelles Ndaj Protestuesve

TIRANE 12 Maj /ATSH, M Shkurta/ Drejtoria e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp deklaroi të mërkurën se ," Gjatë ditës së sotme, një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë tentuar të bllokojnë aksin rrugor nacional Korçë-Pogradec, tek kthesa e Çërravës, duke arritur pengimin e kalimit të mjeteve vetëm në disa fragmente të shkurtra kohore." Sipas burimeve të mësipërme, "Po ashtu ata kanë bllokuar pjesërisht për rreth 10 minuta aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër." Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në të dyja këto raste, ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme. Në njoftimin e saj për shtyp, sqarohet, "se në asnjë rast strukturat e policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim dhe veprimet e kryera nga punonjësit e policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit." Po sipas këtyre burimeve, protestuesit në të dyja rastet kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë. Policia e Shtetit, sërish i bën thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme dhe materialet procedurale për çdo rast do t'i referohen Prokurorisë./a.gj/
KOMENTE