English

Portugalia Mbeshtet Integrimin Dhe Heqjen E Vizave Per Shqiperine

TRANE, 12 Maj/ATSH, A.Gegavataj/- Bashkëpunimi politik, integrimi evropian i Shqipërisë, liberalizimi i afërt i regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Konferenca e Sarajevës, ishin në qendër të bisedimeve që zhvilloi sot Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta me ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Luis Amado, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Portugali, me ftesë të homologut të tij. Burime zyrtare të Ministrisë së Jashtme bëjnë të ditur se, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vëndeve, z. Meta përshëndeti qëndrimin përkrahës të Portugalisë ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimit të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Luis Amado duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, deklaroi se "Portugalia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë si për marrjen e statusit të vendit kandidat ashtu dhe për përmbylljen me sukses dhe sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave". Dy homologët u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera prioritare, veçanërisht ekonomike, energjetike dhe shkëmbimeve tregtare. Ata e cilësuan krijimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri, si një fillim të mbarë, për arritjen e një stadi të ri të marrëdhënieve dypalësh, në aspektin ekonomiko-tregtar dhe industrial. Gjithashtu, ministrat e Punëve të Jashtme, Meta dhe Amado, morën pjesë në përurimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Lisbonë, të cilën e vlerësuan si fillimin e një stadi të ri e më intensiv të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Portugalisë. Gjatë vizitës në Portugali, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit edhe nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Portugalisë, Jaime Gama./n.m/
KOMENTE