English

Presidenti ngushëllon familjarët e zjarrfikësit që ra në krye të detyrës

Tiranë, 12 maj, NOA - Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Edmond Moçka, i cili humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës.

“Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e ju gjendem shpirtërisht në këtë moment dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të dashur, të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm, i cili u nda nga jeta në mënyrë tragjike e të parakohshme”, nis mesazhi i Topit.

Ndërsa vijon duke shtuar se “sakrifica dhe heroizmi në krye të detyrës për të shpëtuar tre fëmijë në një banesë të përfshirë nga flakët të zjarrfikësit Edmond Moçka, do të jenë të pashlyeshme në kujtesën tonë dhe të të gjithë shqiptarëve”.

Zjarrfikësi Moçka ra dje në krye të detyrës, në qytetin e Fierit, ndërsa tentonte të shpëtonte tre fëmijë nga rënia e zjarrit në një banesë.

n.e/NOA

KOMENTE