English

Profesionistët e kujdesjeve

Profesionistët e kujdesjeve të cilët shohin se puna, sakrifica, vetëmohimi dhe përkushtimi i tyre, 24 orë në 24 në kujdesje dhe roje të shëndetit të popullit nuk shkon kot dhe një ditë ai gjen vlerësimin e duhur dhe nga nivelet më të larta të shtetit

Nga Sabri Skënderi*

President i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë

Duke marrë fjalën do të doja që në emrin tuaj, por dhe të 14000 profesionistëve të kujdesjeve infermierore të Shqipërisë të falënderoj Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë, Ministrin e Shëndetësisë dhe Ambasadoren Zvicerane, për pjesëmarrjen e tyre në Konferencën tonë. Vetë kjo pjesëmarrje tregon vlerësimin e madh për profesionistët e kujdesit infermieror për punën, sakrificat dhe vetëmohimin e tyre në shërbim të popullit. Kujdesi infermieror përbën 70 % të kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe rritja e cilësisë së tij është pjesë e rëndësishme e Reformës Shëndetësore në vend. Ngritja e nivelit të këtyre kujdeseve në nivelin evropian është sfidë e madhe për të gjithë ne.

Dekorimi me medalje i 14 prej tyre, është një nder dhe vlerësim, jo vetëm për ata, për familjet dhe të afërmit e tyre, por edhe për 14 000 profesionistët e kujdesjeve të cilët shohin se puna, sakrifica, vetëmohimi dhe përkushtimi i tyre, 24 orë në 24 në kujdesje dhe roje të shëndetit të popullit nuk shkon kot dhe një ditë ai gjen vlerësimin e duhur dhe nga nivelet më të larta të shtetit.

Ky akti Juaj z. President do t’i japë një impakt të madh reformës në shëndetësi, por edhe kujdesjeve infermierore që përbën 70% të kujdesit shëndetësor tek ne. Ai do të frymëzojë dhe do të mobilizojë të gjithë këta profesionistë për të rritur humanizmin profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në punë për të punuar në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e cilësisë së këtyre kujdesjeve në nivelin evropian.

Urdhri i infermierit të Shqipërisë për një periudhë më pak se 2 vjet nga krijimi i tij si institucion dhe me gjithë vështirësitë që ka pasur si institucion i ri, me mungesë të buxhetit financiar si dhe të infrastrukturës se domosdoshme me ambiente dhe mjete për punë, ka punuar me të gjitha mundësitë për konsolidimin e tij.

UISH në zbatim të ligjit nr. 9718, dt. 19/04/2007, “Për urdhrin e infermierit në Republikën e Shqipërisë”, ka hartuar, miratuar dhe shpërndarë në të gjithë vendin Statutin, Kodin Etik-Deontologjik dhe Rregulloren e Gjykimit profesional. Dokumente këto të detyrueshme për zbatim nga të gjithë profesionistët e kujdesjeve infermierore.

Ne përgatitëm Dokumentin Themeltar në përmbajtje të të cilit është Ligji, Statuti, Kodi Etik-Deontologjik dhe Rregullorja e Gjykimit Profesional në formën e një libri xhepi i cili do u shërbejë të gjithë infermierëve në Shqipëri për të përmirësuar sjelljet etiko-profesionale dhe për të rritur më lart cilësinë e tyre. Ne po kërkojmë mundësi financiare për ta shumëfishuar atë, për ta bërë të mundur për çdo infermier në Shqipëri.

Ne zhvilluam vitin që kaloi 8 Konferenca Rajonale si dhe Konferencën e Irë Kombëtare të UISH, në të cilën na nderuan me pjesëmarrjen e tyre personalitete të institucioneve shëndetësore të vendit, të përfaqësive diplomatike të huaja si dhe evenimenti më i rëndësishëm ishte pjesëmarrja në Konferencë e Kryeministrit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, mikut të infermierëve shqiptar, i cili vlerësoi lart figurën, rolin dhe punën e profesionistëve të kujdesit.

Fjala e tij e ngrohtë dhe me superlativa të mëdha për infermierët krijoi një impakt të madh tek të gjithë këta profesionistë në punën e tyre për rritjen e cilësisë së kujdesit. Të gjitha këto aktivitete u bënë të mundura me ndihmën e USAID dhe OBSH të cilët i falënderojmë për mbështetjen që i japin infermierisë shqiptare.

UISH ka filluar punën për hartimin e Regjistrit Kombëtar profesional të profesionistëve të kujdesit. Ne përgatitëm 15 000 kartela regjistrimi me të gjitha të dhënat e duhura. 15 000 karta regjistrimi me kodet përkatëse dhe 15 000 leje për ushtrim profesioni, të cilat u shpërndanë në gjithë Shqipërinë dhe çdo profesionist i plotësoi duke i shoqëruar me dokumentet përkatëse.

Në këtë mënyrë krijohet dhe dosja personale e çdo profesionisti pranë Këshillit Rajonal. Ne kemi grumbulluar rreth 90% të këtij dokumentacioni dhe po kërkojmë ndihmë financiare për kompjuterizimin e të gjitha këtyre të dhënave dhe për krijimin e Regjistrit Elektronik, i pari i këtij lloji dhe shumë i rëndësishëm për të gjitha institucionet e sistemit shëndetësor në vend.

Në strategjinë e vet UISH ka rritjen e cilësisë së kujdeseve infermierore, ngritjen e saj në nivel evropian dhe kjo do të arrihet me përmirësimin e formimit bazë, duke e ngritur formimin e këtyre profesionistë në nivel universitar, por sigurisht duke vlerësuar punën dhe eksperiencën e profesionistëve me përvojë, si dhe kontributin që kanë dhënë në kujdesin shëndetësor në Shqipëri ndër vite.

Së dyti, në realizimin e këtij objektivi shumë të rëndësishëm është edukimi i vazhdueshëm profesional i këtyre profesionistëve. Aktualisht, tek ne sot ekziston legjislacioni i duhur që e bën të detyruar atë, ekziston tashmë QKEV, e cila vlerëson dokumentet, akrediton dhe çertifikon të gjitha aktivitetet në këtë fushë.

Infermierët aktualisht nuk janë në programin e detyrueshëm të krediteve, por së shpejti edhe ata do të jenë pjesë e këtij programi, si gjithë profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor. Ne po punojmë në këtë drejtim dhe kemi planifikuar një sërë aktivitetesh në shumë rajone në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional.

Të nderuar koleg! Më lejoni që në emrin tuaj dhe të gjithë profesionistëve të kujdesit në Shqipëri, t’i përcjell Ambasadores Zvicerane falënderimet tona për Qeverinë Zvicerane, për mbështetjen e madhe që ka dhënë dhe jep për ne për të ngritur nivelin tonë në nivelin e infermierëve evropianë. Falënderime gjithashtu dhe Koperacionit Zviceran që ka më shumë se 15 vjet që mbështet infermierinë shqiptare.

Vitin e fundit mbështetja e tyre nëpërmjet projektit të zhvillimit profesional për infermierët shqiptar është rritur ndjeshëm. Sajë mbështetjes së Koperacionit Zviceran dhe të këtij projekti, ne po zhvillojmë këtë aktivitet të rëndësishëm, falë mbështetjes së tyre ne do të ngremë një njësi për edukimin e vazhdueshëm profesional pranë UISH si dhe do të përfundojmë së shpejti faqen e internetit të UISH. Ku në rubrikat e saj që do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, çdo infermier në Shqipëri mund të njihet me të rejat e fundit të shkencës infermierore dhe me eksperiencat më të mira brenda dhe jashtë vendit.

Sigurisht që ky bashkëpunim dhe kjo mbështetje ne shpresojmë të vazhdojë dhe në të ardhmen. Ne i falënderojmë dhe iu jemi mirënjohës për gjithçka që kanë bërë dhe bëjnë për infermierinë shqiptare.

UISH ka punuar për njohjen e vet si dhe shtrirjen e bashkëpunimit edhe me institucione homologe jashtë Shqipërisë si dhe me Unionin Evropian të Urdhrit të Infermierëve (FEPI), ku ne synojmë të anëtarësohemi, gjithashtu kemi filluar negociatat për bashkëpunim me homologët tanë në Itali, Greqi, Irlandë, etj.

Do të doja të theksoja se ne kemi marrëdhënie dhe bashkëpunim shumë të mirë dhe me kolegët tanë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi (më lejoni që t’i falënderoj dhe në emrin tuaj përfaqësuesit e tyre për pjesëmarrjen dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm mes nesh).

UISH në të ardhmen krahas rritjes dhe bashkëpunimit me të gjithë partnerët ndërkombëtar do të fokusohet kryesisht në rritjen e cilësisë së kujdeseve infermierore nëpërmjet edukimit të vazhdueshëm profesional, përmirësimit të sjelljeve etiko-profesionale duke kërkuar zbatimin me korrektësi të Kodit Etik-Deontologjik nga të gjithë profesionistët, duke kërkuar rritjen e humanizmit dhe përkushtimit të këtyre profesionistëve në punën e tyre. Sigurisht që të gjitha këto përbëjnë një sfidë të madhe për ne të gjithë të cilën ne shpresojmë ta arrijmë së bashku falë dhe bashkëpunimit dhe mbështetjes edhe të Ministrisë së Shëndetësisë, mbështetje e cila nuk ka munguar asnjëherë, por që shpresojmë që në të ardhmen të jetë më e madhe. Infermierët duhen vlerësuar dhe dëgjuar më shumë, ata duhet të përfaqësohen më shumë dhe më mirë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha institucionet sepse janë pjesa më e madhe dhe shumë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor.

Më lejoni që edhe një herë në emrin tuaj ta falënderoj Ministrin e Shëndetësisë për mbështetjen edhe bashkëpunimin dhe t’i premtoj se infermierët shqiptar do të jenë gjithmonë në krye të punëve dhe të reformave për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe ta ftoj atë për të përshëndetur Konferencën.

(*) Fjala e hapjes Konferenca e dytë e UISH

KOMENTE