English

Shkodër: Muzeu Historik, Një Pasuri Me Vlera Të Rralla Arkeologjike, Etnografike

SHKODËR, 12 Maj /ATSH-G. Marku/- Muzeu historik i Shkodrës është një ndertesë e veçantë: dy katëshe, me çardak, dhoma të mëdha, oxhak, tavan dekorativ, dyer, dritare, trapazan, shkallë e ballkone, të gjitha të tipit të vjetë. Shkodranët e quajnë "Shtëpia e Oso Kukës". "Në muzeun tonë gjenden pasuri të një historie mijëvjeçare, të cilat janë të vendosura në pavionet arkeologjike, etnografike, si dhe në arkivin bibliotekar e më gjerë.", thotë për ATSH-në drejtori i këtij institucioni Fatmir Juka. Sipas tyre një pjesë e madhe e materialeve historike janë ekspozuar, por pasuria e këtij muzeu është shumë më e madhe, dhe për mungesë të mjaftueshme ambientesh, për momentin nuk është bërë e mundur paraqitja e gjithë objekteve historike. Në oborrin e muzeut gjenden një sërë objektesh historike, kryesisht me materiale prej guri. Në katin e parë është pavioni i arkeologjisë, me objekte nga neoliti e deri në mesjetën e vonshme. Me një insvestim të qeverisë, ky pavion është sistemuar dhe adoptuar në mënyrën më të mirë për t'i shërbyer vizitorëve vendas dhe sidomos ato të huaj. Ky pavion ka një fond arkeologjik me rreth 500 objekte, kryesisht vegla pune, maja shigjetash, thika, mjete të ndryshne mbrojtëse, punime guri e qelqi dekorative, që përfaqësojnë të gjitha periudhat historike, nga Neoliti, 6 mijë vjet Para Krishtit deri në Mesjetën e vonë të shekullit të 16-të. Me interes është edhe sektori i monedhave, të cilat i përkasin periudhës së Gentit, periudhës romake, monedha greke e barbarike, venedikase, bizantine. Në katin e dytë është vendosur sektori i etnografisë, me një një fond prej rreth 1500 objektesh që u përkasin shekullit 18-të deri në shekullin e 20-të. Pjesa më e madhe e objekteve janë prodhime artizanale të qytetit, si dhe të zonave përreth Shkodrës. Në to tërheqin vemendjen veshjet karakteristike, qytetare, fshatare e malësore, shoqëruar me simbole të ndryshme që i përkasin zonave të veçanta. Një dhomë, koridori dhe anekse të tjera që prezantojnë elemente të shumtë të historisë shkodrane e më tej. Oxhaku, tavolina, raftet, që të gjitha të mbushura me elementë tradicionale, mjete dhe pajisje shtëpiake sende mobilimi të ambienteve shtëpiake, si qylyma, perde, mbulesa tryeze që i kanë shërbyer familjeve të asaj kohe, etj. Aty gjen edhe enë të përdorimit të përditshëm, si kupa, pjata, tepsi, enë uji, të punuara me qeramikë, porcelan, metale, tangarë zjarri, vegla pune të mjeshtrive të ndryshme, të kovaçit, argjendarit, lëkurpunuesit, bakërpunueit, drugëdhendësit, armëpunuesit, pa lënë mënjanë edhe veglat muzikore tradicionale mjaft interesante si lahuta, qifteli, fyej, zumare, saze. Ngjitur me pavionin e Etnografisë, në katin e dytë, gjenden Arkivi dhe Biblioteka. Në Arkiv gjenden rreth 20.000 njësi arkivale ku përfshihen dokumente të ndryshme që datojnë periudha të hershme si pergamena, dokumente të njësive administrative osmane, objekte e dokumente të figurave e ngjarjeve historike etj. Në Bibliotekë gjenden 20 mijë artikuj, përgjithësisht mbulon të gjitha fushat e Albanologjisë, por edhe literaturë tjetër, të autorëve shqiptarë e të huaj, në shumë gjuhë të botës. Specialisti, Zamir Tafilica thotë se librat më të vjetër i përkasin shekullit të 17-të, ku mund të përmenden librat "Dottrina Christiana" të Pjetër Budit të vitit 1618, "Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander - Begh" i G. Biemm-it, i vitit 1742. Këtë sektor e ka pasuar së tepërmi edhe fondi prej mbi 2000 vëllimesh i bibliotekës të familjes Pipa, që kjo familje i ka dhuruar muzeut. Paulin Pero, punonjës i hershëmn i muzeut të Shkodrës, tregon për ATSH-në se Muzeu Historik i Shkodrës është ngritur që në vitin 1949, i formuar duke mbledhur objektet e koleksionet e muzeumeve të Jezuitëve e Françeskanëve. Sipas tij, ai ka qenë i vendosur më përpara në qendër të qytetit pranë Sahatit të Inglizit dhe që nga viti 1996 është zhvendosur në mjediset e një banese karakteristike shkodrane, e ndërtuar rreth fundit të shek. XIX. Pero shton se deri në fillim të viteve 90-të në Shkodër kanë funksionuar shtatë qendra muzeale, të cilat kanë qenë të vendosura në shtëpi private, por që më vonë iu kthyen ish pronarëve të ligjshëm, një pjesë e të cilëve ia ndryshuan destinacionin. Nën përkujdesjen e Muzeut Historik, materialet e tyre u grumbulluan në Muzeun Historik të qytetit./ch/
KOMENTE