Sport-Futboll/ Lorik Cana, "Sezon Zhgënjyes Tek Sandërlend"
TIRANË, 12 maj / ATSH- Gjergji Mima/- Lorik Cana ndihet i zhgënjyer me faktin se ekipi i tij Sandërlend, nuk ishte në pjesën e sipërme të tabelës në përfundim të sezonit në Premierligën angleze.
Sandërlend e mbylli këtë sezon me humbjen 2-1 nga Wolves, e cila e rendit skuadrën e trajnerit Steve Bruce në vendin e 13-të në kampionatin anglez.
26-vjeçari Cana gjithmonë e kishte përmendur se Sandërlend do të ishte i kënaqur vetëm nëse e përfundon sezonin në 10 ekipet e para, synim ky i fillimit të sezonit i vënë nga klubi.
"Në fillim të sezonit, nuk do ta pranoja vendin e 13-të. Mendoj se ne jemi më të mirë sesa ai vend. Ishte një sezon zhgënjyes për ne. Nuk mendoj se ishte sezon i mirë, sepse sezon i madh do të thoshte nëse do të përfundonim në pjesën e sipërme të tabelës, të cilën nuk e arritëm", tha Cana për të përditshmen britanike, "Mirror".
Përfaqësuesi shqiptar pret më shumë nga ekipi i tij për sezonin e ardhshëm. "Ne kemi fituar mjaft eksperiencë dhe kemi mësuar se si duhet të veprojmë sezonin e ardhshëm. Në thjesht duhet të jemi gjithsesi më të mirë vitin që vjen", vazhdoi ai.
Problemet e Sandërlendit këtë sezon kryesisht kishin të bënin me ndeshjet jashtë stadiumit "Wearsiders", ku lojtarët e Sandërlend shënuan vetëm dy fitore në udhëtimet e tyre, duke humbur 13 takime.
Cana kërkon nga lojtarët e skuadrës që të ndryshojnë edhe në këtë aspekt. "Ne ishim fantastikë në shtëpi, por jashtë fushës sonë kishim një sezon të varfër, pasi morëm vetëm 10 pikë në udhëtimet tona. Kjo nuk është e mjaftueshme. Neve na nevojitet kualiteti dhe ngritja e mentalitetit, për të fituar jashtë shtëpisë në këtë ligë", nënvizoi ish-futbollisti i Olympik Marsejë./n.m/