Sport-Merkato/ Klubi I Mainz I Këshillon Largimin Jahmir Hykës
TIRANË, 12 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Mesfushori shqiptar, Jahmir Hyka, që u aktivizua këtë sezon tek Mainz 05 në Bundesligën gjermane, është drejt largimit nga kjo skuadër.
Këtë e ka konfirmuar pikërisht menazheri i klubit gjerman, Christian Hendel, i cili në një intervistë për "Rhein Zeitung" theksoi se klubi i ka këshilluar ndërrimin e skuadrës futbollistit të Kombëtares shqiptare.
"Futboll profesionist do të thotë seleksionim i përhershëm", tha Hendel, duke iu referuar aktivizimeve të pakta të Hykës këtë sezon.
Pyetjes nëse do të ketë ngjarje të reja në skuadër, Heidel i është përgjigjur se "tashmë nuk përbën ndonjë sekret që trajneri ynë ka zhvilluar nga një bisedë individuale me secilin nga lojtarët mbi të ardhmen e tyre në sezonin e ardhshëm, mbi mundësitë dhe perspektivat. Në fakt futbolli profesionist është një seleksionim i përhershëm. Në të mirë të tijën, i kemi sugjeruar Jahmir Hykës të gjejë një skuadër tjetër. Deri tani, ai e ka refuzuar këtë gjë, por nëse do të rrijë për vitin e tretë radhazi në stol pa luajtur, do të ishte fatale për të. Në këtë plan, do ta ndihmojmë sepse ai duhet të luajë. Por tek ne kjo gjë do të jetë e vështirë për të".
Mesfushori shqiptar tashmë sapo përfundoi sezonin e dytë më Mainzin. Një sezon që pothuajse nuk e pa atë për asnjë minutë si protagonist në Bundesligë. Hyka është aktivizuar gjithsej këtë sezon 196 minuta. Vetëm 2 ndeshje Hyka i ka nisur si titullar, ndërkohë që në të dyja ndeshjet është zëvendësuar.
Ndërkohë nga pankina ka hyrë në lojë vetëm gjashtë herë të tjera., me një total prej 8 ndeshjesh të luajtura këtë sezon me ekipin e Mainzit në Bundesligën gjermane./s.s./