Sport-Profil/ Rafael Sosa, Argjentinasi Kampion I Dinamos
TIRANË, 12 maj / ATSH- Gjergji Mima/. - Në merkaton e verës së kaluar, futbollisti argjentinas Rafael Sosa vendosi të lërë vendlindjen e tij dhe të udhëtojë mijera kilometra për të luajtur në Shqipëri.
Argjentinasi ka rezultuar një prej blerjeve më të mira të Dinamos. Ai luan mesfushor i avancuar, ndërsa më parë ka qenë sulmues i mirëfilltë. Por, tek Dinamo është përshtatur më së miri. Deri tani ka shënuar 6 gola, të gjithë të rëndësishëm për skuadrën.
Është vetëm 21 vjeç dhe në Tiranë jeton me të fejuarën e tij në një shtëpi me qera afër kompleksit "Dinamo". I pëlqen jeta në Tiranë. Fakti që është shumë pranë titullit të tij të parë në karrierë, e bën të mendojë edhe për rinovimin e kontratës. Me blutë mund të jetë edhe sezonin e ardhshëm.
"Karrierën e kam nisur me të rinjtë e Estudiantes de La Plata", shpjegon Sosa për ATSH-në, "ndërsa kam luajtur për disa sezone me ta dhe më pas në 2007 kam kaluar te ekipi i parë, por nuk jam aktivizuar asnjëherë me të".
Për të shijuar ndeshjen e tij të parë në futbollin profesionist, Sosës iu desh që të vinte në Shqipëri për të luajtur me Dinamon në formë huazimi nga klubi argjentinas.
Transferimi nga Estudiantes te Dinamo përfundoi më 26 qershor, kur lojtari mbërriti në kryeqytetin shqiptar. Është argjentinasi i parë që firmosi për blutë në fillim të këtij sezoni. Pas tij erdhën edhe dy futbollistët e tjerë argjentinas Del Monte e Malakarne.
Debutimin e tij tek Dinamo, Sosa e bëri në ndeshjen e parë të Ligës së Europës ndaj Lahtit, ku Dinamo u mund 4-1. Argjentinasi erdhi në skuadër pas largimit të serbit Brkiç, që u stërvit një periudhë kohe me blutë, por që nuk arriti akordin për të qëndruar.
Debutimin në kampionat e bëri në ndeshjen e parë të sezonit kur Dinamo luajti në Krujë dhe fitoi 3-1. Sosa në këtë takim bëri një paraqitje shumë të mirë. Me kalimin e javëve, arriti të harmonizohet shumë mirë me skuadrën dhe është shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm për trajnerin Shkëlqim Muça.
Pozicioni i tij natyral është sulmues i mirëfilltë, por që kur ka ardhur te Dinamo luan mesfushor i krahut të djathtë, sigurisht me tipare sulmuese. Është ambientuar më së miri në këtë pozicion, pasi si sulmues i mirëfilltë e ka pasur të vështirë të luajë, duke parë që janë pjesë e skuadrës edhe Kuli, Sefa apo Bakaj.
Për Sosën, fitimi i titullit kampion me Dinamon në debutimin e tij është si një ëndërr. "Ky është viti i im i parë në Shqipëri dhe menjëherë u shpalla kampion. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që kam ardhur tek Dinamo dhe shpresoj të vazhdoj edhe një sezon tek ky ekip", thotë ai.
Ndërkohë jeta private e mesfushorit argjentinas në Tiranë ka ndryshuar nga ajo në vendlindje. "Bëj një jetë të qetë. Këtu në Tiranë jetohet mirë, më pëlqen. Kam shëtitur nëpër qytet dhe është një metropol që i ka të gjitha. Lokalet janë të bukura. Megjithatë nuk dal shumë. Një pjesë të kohës së lirë e kaloj në shtëpi", shprehet mesfushori argjentinas.
Por, për të, qyteti më i bukur është Vlora. "Me aq sa kam parë qytetet e Shqipërisë ku kemi luajtur, Vlora është më e bukura", thotë Rafael Sosa.
- Skeda e mesfushorit argjentinas Rafael Sosa
Datëlindja: 7 Maj 1988
Vendlindja: Catamarca, Argjentinë
Pozicioni: Mesfushor i avancuar
Karriera
Viti Skuadra Nd. Gl.
2007- Estudiantes de La Plata 0 (0)
2009- Dinamo (huazim) 9 (3)
/s.s./