Topi Ngushëllon Familjarët E Zjarrfikësit Edmond Moçka, Që Humbi Jetën Në Krye Të Detyrës
TIRANË, 12 Maj/ATSH/.- "Sakrifica dhe heroizmi në krye të detyrës për të shpëtuar tre fëmijë në një banesë të përfshirë nga flakët e zjarrfikësit Edmond Moçka do të jenë të pashlyeshme në kujtesën tonë dhe të të gjithë shqiptarëve", thuhet në mesazhin ngushëllues që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi sot familjes së të ndjerit Moçka, i cili humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës.
Në mesazhin e tij Kreu i shtetit, duke i shprehur familjarëve ngushëllimet më të sinqerta, thotë se "gjendem shpirtërisht pranë jush në këtë moment dhimbje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të dashur, të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm, i cili u nda nga jeta në mënyrë tragjike e të parakohshme".
Mbrëmjen e së martës, punonjësi i shërbimit zjarrfikës të Fierit, 46-vjeçari Edmond Moçka, humbi jetën aksidentalisht në krye të detyrës, në përpjekje për të ndihmuar anëtarët e një familje që kishin mbetur të bllokuar në banesën e tyre nga zjarri. /a.s/s.s./