Tropojë, Motori Bie Në Humnerë, Një I Vdekur, Një I Plagosur
TROPOJË, 12 maj/ATSH-R.Hoxha/.- Një person humbi jetën në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në afërsi të urës së Vicidolit, në rrethin e Tropojës, pasi motori me të cilin udhëtonte bashkë me një të afërmin e tij, doli nga rruga duke rënë në humnerë.
Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, Odeta Popa, tha për ATSH-në se "ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në afërsi të urës së Vicidolit, rreth 30 kilometra larg qytetit të Bajram Currit, kur një motor tip "Suzuki" doli nga rruga duke rënë në humnerë. Si pasojë humbi jetën shtetasi Mujë Berisha, ndërsa mbeti i plagosur rëndë Artur Halilaj nga fshati Vicidol".
Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë, të cilat pasi dërguan të plagosurin në spitalin civil të qytetit të Bajram Currit kanë nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Paraprakisht mendohet se shkak i aksidentit ishte shpejtësia e madhe. /s.s./