English

Tropojë: Specialistët Pranojnë Të Qëndrojnë Në Vendlindjen E Tyre

TROPOJË, 12 Maj /ATSH-R.Hoxha/ - Largimi i të rinjve me arsim të lartë nga rrethi i Tropojës mund të konsiderohet tashmë një fenomen i tejkaluar, sipas burimeve nga bashkia. "Tashmë mbi 70 për qind e të rinjve që mbarojnë arsimin e lartë kthehen në vendlindje për të punuar",- thotë kryetari i bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetaj. "Synimi është që të rinjtë që mbarojnë studimet e larta në universitetet e vendit e jashtë tij, të tërhiqen për t'u punësuar në vende pune ku janë më të aftë, por edhe në administratë",- thotë Ahmetaj. Kjo është arsyeja që në këtë rreth aktualisht të papunët me arsim të lartë janë të paktë. Në sektorin e arsimit, ku është edhe numri më i madh i të punësuarve në sektorin shtetëror situata ka ndryshuar rrënjësisht. "Nga 35 për qind e mësuesve në shkollat e arsimit parauniversitar të këtij rrethi që ishin pa arsimin përkatës 3 vite më parë, tashmë ky tregues ka zbritur në 12 për qind. Probleme të tilla ka vetëm në shkollat e zonave të thella rurale",- thotë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Ylli Metalia. Probleme ka në sektorin e shëndetësisë ku treguesi mjek-banorë arrin në një mjek për mbri 3000 banorë, apo në spitalin civil të qytetit ku ka vetëm 5 mjekë specialistë./ch/
KOMENTE