English

Vlorë: Ansambli I Sllovakisë, Në Festival Me Trashëgiminë E Vet Kulturore

VLORË, 12 maj/ATSH-H.Koçi/ - Grupi folklorik "Sarisan", i Sllovakisë, u cilësua ansambli më i mirë i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival", që u zhvillua për katër netë me rradhë në qytetin e Vlorës. Jakob Kluziar, një nga drejtuesit e grupit folklorik "Sarisan", në një intervistë për ATSH-në evidentoi vlerat e këtij grupi, duke veçuar disa nga karakteristikat kryesore të tij. "Në këtë aktivitet u soll trashëgimia më e pasur folklorike e vendit tonë", nënvizoi Kluziar. Sipas tij, "Ansambli ka rreth 43 vjet që është formuar dhe ka përfshirë në repertorin e vet elementet më të mira të kërcimit dhe muzikës së rajoneve lindore të Sllovakisë dhe krahinës Presov, që përbëjnë edhe trashëgiminë folklorike të kësaj zone". "Vallja më tradicionale quhet "Saris polka" dhe ajo që bie në sy në këngët e kërcimet tona është se i kushtohen gjithçkaje që na rrethon, jetës dhe çdo elementi të saj", shprehet Kluziar. Ai sqaron se grupi përbëhet prej 16 vetësh, ku përfshihen vallëtarët, këngëtarët dhe instumentistët. Sipas tij, instrumenti muzikor karakteristik është "cymbal", tipik për Sllovakinë. Grupi ka një repertor të pasur dhe është përfaqësuar në shumë shtete të botës, në kontinete të ndryshme, të Evropës, Afrikës dhe Azisë. Kluziar sqaron se, çdo vit grupi është bërë pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. "Vijmë për herë të parë në Shqipëri dhe na pëlqen mjaft Vlora", thotë ai, duke shtuar se është gjithashtu hera e parë që një grup folklorik nga krahina e tij dhe nga Sllovakia vjen në Shqipëri./ch/
KOMENTE