Vlorë: "Dita E Informimit", Thirrje Per Projekte Te Reja Nga Programi "Cip"
VLORË, 12 maj/ATSH-H.Koçi/.- Përfaqësues të bankave, bizneseve të ndërtimit, Universitetit, shoqërisë civile, etj, u bënë sot pjesë e aktivitetit "Dita e informimit", pjesë e Programit CIP( Programi për konkurueshmërinë dhe inovacionin) dhe thirrja e 2010 për ECO-Inovacionin, organizuar nga ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës dhe ERACON (Qendra e Njohjes së Programeve të Komunitetit Evropian), në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Vlorës.
Qëllimi i aktivitetit ishte njohja me projektin e asistencës teknike të Programit CARDS 2006(Mbështetje për Qeverinë e Shqipërisë, për pjesmarrjen në programet komunitare) dhe informimi rreth procedurave të aplikimit për fonde në kuadër të programit CIP (Programit për Konkurueshmërinë dhe Inovacionin).
Përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Tefta Demeti prezantoi strategjinë e qeverisë në përputhje me këtë program dhe axhenden e aktiviteteve që do të organizohen për informimin e aplikantëve potencialë.
Ndërsa Gordana Prutnik, përfaqësuese e ERACON informoi për programin CIP, qëllimin, objektivat, rregullat e përgjithshme, kriteret për pjesëmarrjen dhe rrjetin e mbështetësve të tij në Evropë.
Programi CIP ofron 1129 milionë euro per lehtësimin e aksesit për financimin e SME-ve, 338 milionë euro për shërbimet mbështetëse për SME-të dhe 585 milionë euro për promovimin e teknologjisë së inovacionit.
Prutnik dha informacion të detajuar për Thirrjen për aplikim në kuadër të Programit "ECO -Inovation 2010", që është i hapur për të gjitha bizneset, organizatat dhe individët. "Janë 195 milionë euro në dispozicion të kësaj thirrjeje për aplikim", tha ajo.
Tematika e projekteve për aplikim e nga bizneset, etj, përfshin: projekte për riciklimin e materialeve, procese dhe metoda për të përzgjedhur më mirë mbetjet tregtare dhe industriale; projekte për ndërtimet ku përfshihen produktet inovative në fushën e ndërtimit, që synojnë përdorim racional të burimeve natyrore; për ushqimin dhe pijet që perfshijne metodat dhe materialet paketuese; përdorimin me efiçencë të lëndës së parë; projekte për bizneset e gjelbërta që përfshijnë mbështetjen dhe zbatimin e produkteve dhe shërbimeve që pakësojnë ndikimet mjedisore, sipas principeve të politikave për produktet e integruara./n.m/