English

Vlorë, Grupi Folklorik I Sllovakisë, Më I Miri I Festivalit Folklorik Ndërkombëtar

VLORË, 12 Maj/ATSH-H.Koçi/.- Grupi folklorik i Sllovakisë "Sarisan" u shpall grupi më i miri i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival", që përfundoi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës. Grupi sllovak meritoi kupën e këtij festivali, e cila ju dorëzua drejtuesit të tij Jakob Kluziar, në fund të natës së katërt. Drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, tha se grupi sllovak solli në këtë aktivitet vlerat e folklorit burimor të vendit të vet, dinamikën e valleve dhe origjinalitetin e këngëve. Në natën e fundit të festivalit, grupet pjesëmarrëse performuan pjesë të zgjedhura nga repertori i tyre. Ndërkohë, më pas, grupeve pjesëmarrëse në këtë festival ju ndanë çmime speciale të përgatitura nga operatorë të ndryshëm turistikë në qytetin e Vlorës. Edicioni i dytë i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival", që u zhvillua gjatë katër netëve, çeli edhe sezonin turistik veror 2010 në qytetin e Vlorës. Në të u përfaqësuan 9 grupe folklorike nga vende të ndryshme të Evropës dhe Shqipëria. Ky aktivitet, që organizohet nga Qendra Kulturore "Bilbilat e Jugut", konsiderohet jo vetëm një manifestim i vlerave të folklorit dhe pasurisë shpirtërore të vendeve pjesëmarrëse, por edhe një mundësi për promovimin e resurseve turistike të qytetit të Vlorës. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Vlorës, atë të Orikumit dhe komunën e Novoselës, që janë tre njësi vendore që shtrihen përgjatë bregdetit, si dhe me operatorë të ndryshëm turistikë. Festivali ka krijuar profilin e një aktiviteti folklorik në shërbim të drejtpërdrejtë të turizmit kulturor dhe në ndryshim nga aktivitete të tjera të ngjashme, që zhvillohen në Vlorë, "Aulona International Folk Festival" ka dimensione ndërkombëtare dhe si i tillë, ai është çertifikuar dhe është përfshirë në librin e festivaleve më të mira folklorike në nivel ndërkombëtar. Festivali "Aulona International Folk Festival" është pjesë e aktiviteteve të vitit 2010, i cilësuar nga UNESCO, si viti ndërkombëtar i komunikimit përmes veprimtarive të kulturës. Organizatorët synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF(Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike). Në të morën pjesë grupe folklorike nga 8 vende të ndryshme të Evropës, mes të cilave, Polonia, Sllovakia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. /s.s./
KOMENTE