English

Vlorë: Mot I Paqëndrueshëm, Kushte Normale Lundrimi

VLORË, 12 maj/ATSH-H.Koçi/. - Situata meteorologjike sot në gjirin detar të Vlorës do të karakterizohet nga një mot i paqëndrueshëm dhe me zhvillime resh, që do të dendësohen në orët e mesditës. Por, kjo nuk do të ndikojë në kushtet e lundrimit, të cilat do të jenë normale për të gjitha mjetet. Duke shfrytëzuar këto kushte, prej disa ditësh mbi 30 peshkarexha dalin për gjueti brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Perëndim-Jugperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 2-4 m/sek deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 22-24 gradë celcius dhe ato minimale në 12-14 gradë celcius. Valëzimi parashikohet të jetë 1-2 ballë brenda gjirit detar dhe 4-5 ballë në det të hapur. Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës./s.s./
KOMENTE