Xhibuti, Vendi I 68-Të Që Njeh Pavarësinë E Kosovës
PRISHTINË, 12 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi sot njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Xhibuti.
Ambasada e Republikës së Xhibutit në Paris, përmes një note diplomatike ka njoftuar zyrtarisht ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris, me vendimin e Qeverisë së Xhibutit për të njohur Kosovën shtet të pavarur. Në letrën e nënshkruar nga ministri i Jashtëm i Xhibutit, Mahmud All Youssouf, thuhet se "Qeveria e Republikës së Xhibutit ka marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës".
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, në një letër dërguar sot ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Xhibutit, Mahmud All Youssouf, shpreh falënderimin për njohjen e pavarësisë dhe gatishmërinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme kosovare, Xhibuti është vendi i 68-të që e njeh pavarësinë e Kosovës./s.s./