Banka E Shqipërisë, Pronarja E Re E Hotel "Dajti"-T
TIRANE 13 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Banka e Shqipërisë ka hyrë në tregun e pasurive të paluajtshme duke blerë Hotel "Dajti"-n për 30 milionë euro.
Qeveria shqiptare vendosi të shesë godinën e ish-hotel "Dajti"-t për 30 milionë euro tek Banka e Shqipërisë. Vendimi i Keshillit të Ministrave përcakton që "përdorimi i pronës të jetë vetëm për qëllime admininistrative dhe për çdo funksion tjetër, në shërbim të këtij qëllimi, i cili nuk dëmton vlerën monumentale të saj".
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka të drejtën e parablerjes së godinës se hotelit më të vjetër dhe të njohur të luksit në Shqipëri, në rast se do të shitet sërish më vonë nga Banka e Shqipërisë.
Hotel "Dajti" i ndërtuar në vitin 1943 ka arkitekturë italiane të stilit roman. Edhe pse jo një ndërtesë e lartë, "Dajti" ka një shtrirje të gjerë në një truall me sipërfaqe 8 mijë e 760 metra katrorë.
Pas blerjes nga Banka e Shqipërisë, godina e ish-hotel "Dajti" parashikohet të shërbejë si zyra per institucionin qëndror financiar të vendit.
Ndërkohë aktiviteti i Bankës së Shqipërisë do të zhvendoset përkohësisht nga sheshi "Skëndërbej", sepse godina qëndore e saj do t'i nënshtrohet restaurimit të kryer nga një studio arkitekturore italiane./n.m/