Tiranë, 13 maj, NOA – Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe një nga vendimet që i solli stabilitetin rajonin. Ky është vlerësimi që ka bërë sot Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me Piter Faith, Përfaqësuesi i BE-së dhe Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.
Duke folur për Pavarësinë, Kryeministri theksoi se Kosova duhet të punojë në vazhdimësi, për njohjen e pavarësisë, edhe pse tashmë pavarësia është e pakthyeshme.
Berisha e Faith ndanë të njëjtin mendim se Kosova, me progresin e bërë e ka të hapur perspektivën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimin e saj, në strukturat euroatlantike. Kryeministri u shpreh se zgjedhjet lokale treguan edhe njëherë funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe stabilitetin e saj.
Duke vlerësuar progresin e Kosovës në aspektin ekonomik, Kryeministri Berisha u shpreh se institucionet në Kosovë duhet të punojnë pareshtur për ta bërë vendin e tyre, sa më tërheqës për investitorët e huaj.
Në këtë çështje, Faith u shpreh se zyra civile Ndërkombëtare po punon në përkrahje të institucioneve kosovare për hartimin e politikave që e bëjnë Kosovën, një vend tërheqës për investime të huaja, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Faith u shpreh se nga dita në ditë, Kosova po zhvillohet, institucionet e saj po konsolidohen dhe se po punohet për njohjen e pavarësisë, për stabilitetin dhe progresin e vazhdueshëm te vendit. Në këtë kontekst, ai theksoi se Zyra Civile ndërkombëtare po punon ngushtësisht në përkrahje të institucioneve kosovare, në drejtimin të afrimit të Kosovës drejt BE-së.
Gjithashtu Faith u shpreh Zyra Ndërkombëtare Civile është duke punuar për njohjen më të madhe të Kosovës, për pranimin e saj, në institucionet ndërkombëtare dhe konsolidimin e Kosovës, si shtet i pavarur.
m.xh/NOA