Berisha: Vullneti Politik, Faktor Shumë I Rëndësishëm Në Luftën Kundër Korrupsionit
- Kryeministri Berisha shtron një darkë mirëseardhjeje për pjesëmarrësit në konferencën e TI -
TIRANË, 13 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha theksoi dje, se aftësitë e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit janë në zhvillim dhe vullneti politik është një faktor shumë i rëndësishëm në përpjekjet antikorrupsion.
Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur sot, se Kreu i Qeverisë shtroi dje një darkë mirëseardhjeje për pjesëmarrësit në konferencën e Transparency International (TI), që zhvilloi punimet në Tiranë.
Kryeministri Berisha falënderoi TI për organizimin e konferencës së tyre në Tiranë dhe përfaqësuesit e 40 vendeve për praninë e tyre dhe shprehu bindjen se duke punuar në këtë fushë, ne do t'i bëjmë shërbimin më të mira shoqërive dhe vendeve tona.
"Prania e përfaqësueseve të 40 vendeve e bëjnë këtë konferencë një eveniment shumë të rëndësishëm dhe shpresëdhënës, sepse tema e luftës kundër korrupsionit është nga më thelbësoret për vendet dhe kombet e lira. Korrupsioni është një kërcënim shumë i madh veçanërisht për kombet që vite më parë lanë pas një të kaluar të vështirë", tha Kryeministri Berisha.
Në përfundim, Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që Transparency International i jep vendit tonë në këtë luftë të vështirë./m.m/