English

Bosnja Marrëveshje Me Shba-Në Për Shkatërrimin E Armëve Të Tepërta

SARAJEVË, 13 maj /ATSH-ANSA/ - Ministri boshnjak i Mbrojtjes, Selmo Cikotic dhe gjenerali amerikan Thomas Masiello, zyrtar i lartë i Zyrës për Punët politiko-ushtarake të Departamentit amerikan të Shtetit, nënshkruan sot në Sarajevë një marrëveshje bashkëpunimi për shkatërrimin e mijëra tonëve armë dhe municione të tepërta, që kanë mbetur nga lufta e Bosnjes (1992-1995), njoftoi sot agjencia e lajmeve Fena. Prej vitesh Bosnja kërkon të çlirohet nga armatimet e tepërta me ndihmën dhe mbështetjen financiare të komunitetit ndërkombëtar, ndër të cilat Programi i zhvillimit i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Janë më shumë se 20 mijë tonë municione dhe dhjetëra mijëra armë të lehta që duhet të shkatërrohen sepse janë prodhuar më shumë se 20 vjet më parë dhe janë të papërdorshme ose janë prodhuar gjatë viteve të luftës me standarde të dobëta. Sipas shtypit, autoritetet boshnjake kanë vënë në shitje një sasi të madhe armësh të rënda, ndër të cilat 20 avionë, 10 helikopterë, 268 tanke, dhe qindra topa. Sipas deklaratave të fundit të Cikotic, Sarajeva zyrtare po konsideron mundësinë për t'i dhuruar ushtrisë afgane 16 mijë pushkë automatike dhe 60 topa. /e.v/
KOMENTE