English

Britani E Madhe - Shtypi Zbavitet Me Muajin E Mjaltit Të Çiftit Në Pushtet Cameron-Clegg

LONDËR, 13 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri i ri britanik, David Cameron dhe numri dy Nick Clegg duken sikur kuptohen aq mirë sa konferenca e tyre e parë për shtyp i ngjan më shumë një ceremonie martese sesa krijimit të një koalicioni, shkruhet në shtypin britanik. ''Por, bashkimi mes kryeministrit konservator dhe zëvendëskryeministrit liberaldemokrat, deri dje kundërshtarë, do të vihen shumë shpejt para provave'', parashikon shtypi britanik. "Pas një historie dashurie të madhe, dita e madhe, komenton ''Guardian'', duke përshkruar sesi dy liderët janë shfaqur në kopështin Downing Street duke shkëmbyer shaka me njëri tjetrin, për të njoftuar koalicionin e parë në Britaninë e Madhe që prej Luftës së Dytë Botërore. "Ajo dukej si një partneritet civil, një konferencë shtypi e këtij lloji do të ishte e paligjshme në 45 shtete amerikane'', shkruan gazeta e qendrës së majtë duke iu referuar shteteve ku martesat të të njëjtit seks janë të ndaluara. "Ishte martesa më e shpejtë në historinë politike dhe vendi është i lutur ta bekojë'', vijon ''The Sun''. Konservatorët fituan shumicën e vendeve në Dhomën e Komunëve në përfundim të zgedhjeve të 6 majit, por ju është dashur të bëjnë aleancë me liberaldemokratët, të cilët u renditën të tretët, për formimin e një qeverie duke i dhënë fund qeverisjes 13-vjeçare të laburistëve në Downing Street. Por gazetat e shikojnë të ardhmen e çiftit shumë të vështirë. "Show i David dhe Nick ishte impresionues, por do ta kenë të vështirë ta bëjnë për një kohë të gjatë'', nënvizon ''Independent'', e qendrës së majtë./ /ec/ a.jor.
KOMENTE