English

Britani E Madhe - Tërhiqet Prerja 500 Euro, Përdorej Gjithmonë Nga Kriminelët

LONDËR, 13 maj /ATSH-ANSA/ - Prerjet 500 euro janë tërhequr nga tregu britanik "sepse pashmangshmërisht janë të lidhura me krimin e organizuar", njoftoi sot Agjencia britanike që lufton krimin e organizuar (Soca), sipas të cilës "prerja 500 euro në Britani rrallë herë është përdorur ligjshmërish". Ky vendim vjen pas një hetimi të policisë e cila zbuloi se, nga nëntë raste në dhjetë, shkëmbimi i monedhave me prerje të mëdha është i lidhur me krimin e organizuar, evazionin fiskal dhe terrorizmin. "Ajo që më parë ishte vetëm një hipotezë, tashmë është konfirmuar nga faktet. Vetëm 10 për qind e prerjeve 500 euro që shitet në tregjet britanike përdoret në mënyrë të ligjshme", deklaroi një drejtues i Soca-s. Agjencia mbështet vendimi që bankat britanike që kanë marrë në mënyrë jozyrtare, kur rreth një muaj më parë e ndërprenë shitjen e prerjeve 500 euro. Nga atëherë është vëzhguar tregu për të kuptuar zhvillimet e mëpasshme dhe u mësua se nuk ka asnjë pasojë negative në shkëmbimet e ligjshme të monedhës evropiane, të cilat vështirë se e përdorin monedhën prej 500 euro. Megjithatë, vendimi i marrë nga Soca nuk do të thotë se në Britaninë e Madhe nuk mund të përdoret prerja prej 500 euro, por vetëm nuk do të jetë e mundur të blihet. Për shembull turistët mund të vazhdojnë ta këmbejnë këtë prerje në banka ose në pikat e këmbimit valutor. Në analizën e saj, agjencia zbuloi se prerja prej 500 euro përdoret në të gjitha fazat e riciklimit të parasë së pistë, gjithashtu nga kriminelët e vegjël dhe në manovrat për evazion fiskal. Për më tepër kjo prerje kërkon shumë pak hapësirë për të transportuar shuma të mëdha parash. Llogaritet se një korrier i rritur mund të paketojë dhe gëlltisë deri në 150 mijë euro në prerje pesëqindëshe, ndërsa 20 mijë euro në të njëjtën prerje mund të futen në një paketë të zakonshme duhani. Deri sot e shisnin në përgjithësi pikat e vogla të këmbimit valutor dhe është zbuluar se një nga këto pika, që kishte një filial të vetëm, madje pa asnjë sportel përballë rrugës, kishte blerë rreth 4 milionë euro në prerje pesëqindëshe, për ti shitur më pas me një kërkesë publike që e kalonte atë të një agjencie këmbimi valutor në nivel kombëtar me 12500 sportele. Dhe duke marrë në konsideratë se krimi i organizuar nuk dorëzohet lehtë, agjencia Soca shpjegon se do të fillojë të monitorojë edhe kërkesën për prerjet 200 euro, për të parë nëse do të ketë rritje të kërkesës pas tërheqjes nga tregu për prerjen pesëqindëshe. /e.v/
KOMENTE