English

Durrës: Koncert Me Balada Amerikane Kushtuar Nënë Terezës

DURRES 13 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. Instrumetistët durrsakë të kuartetit të harqeve dhe mexosopranoja Jennifer Kona ia kanë kushtuar koncertin me balada amerikane Nënë Terezës dhe të gjitha nënave që mishërojnë shpirtin e madh të dashurisë sublime, të sakrificës njerëzore dhe fisnikërisë. Mbrëmjen e kaluar artdashës të shumtë që mbushën sallën e katedrales "Shën Luçia" në Durrës bashkë me nismën e bashkëpunimit të artistëve nga të dy kombet duartrokitën intepretimin e veprave të njohura nga kompozitorët Moxart, Shubert, Gërshuin, Lane, Garland, Piazzolla, Burke, Ëeill dhe Carlos, shumica e të cilave ishin orkestruar nga violonçelisti dhe pedagogu Moni Kuriçi. Artistja lirike Jennifer Kona u mirëprit për cilësitë vokale dhe repertorin e përzgjedhur veçanërisht në intepretimin e baladave vokale "Sumertime" dhe "The man I love". Kuarteti i harqeve që drejtohet nga violinistja e njohur Mira Kurti, me pjesmarrjen e Ermal Sinamatit, Herida Duros dhe Moni Kuriçit dëshmuan pjekuri artistike dhe profesionale në shoqërimin e mexosopranos Kona, duke sjellë bashkë me baladën amerikane edhe pjesë të tjera për formacionin e vogël instrumental me artistë durrsakë të moshave të ndryshme. Katedralja katolike "Shën Luçia" pranë qendrës së qytetit bregdetar që kur u rindërtua në fillim të viteve 1990 ka mirëpritur koncerte nga dhjetra artistë shqiptarë dhe të huaj që kanë krijuar një atmosferë të veçantë artistike në mjediset kishtare me cilësi të mira akustike./a.gj/
KOMENTE