English

Durres: Mot I Paqendrueshem, Kushte Te Mira Detare

DURRES, 13 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Kushtet atmosferike të paqëndrueshme dhe deti i qetë do të të karakterizojnë sot situatën metereologjike në rajonin e Durrësit, bënë të ditur për ATSH-në burime nga kapiteneria e portit. Sipas të njejtave burime, dy tragete me udhëtarë dhe kamionë që mbërritën nga Bari (Itali), janë ankoruar në kalatat e portit më të madh të vendit, ndërsa pritet të mbërrijë edhe një traget tjetër me kamionë dhe udhëtarë po nga Bari. Era që vazhdon të fryjë e lehtë dhe me drejtim të papërcaktuar do të ndikojë në paqëndrueshmërinë e kushteve të motit, por pa krijuar shqetësime për lundrimin e të gjitha llojeve të mjeteve detare, shtuan burimet e kapitenerisë së portit. Në kalatat portuale ka nisur përpunimi i anijeve tregtare dhe falë kushteve të mira detare vijon normalisht trafiku i mjeteve lundruese në hyrje dhe dalje të portit detar. Sipas burimeve të kapitenerisë, motopeshkatoret e sektorit të Durrësit, duke përfituar nga deti i qetë gjatë kësaj jave, kanë lundruar për gjueti në zonën nga grykëderdhja e Semanit në jug deri në atë të Bunës në veri. /a.ke/
KOMENTE