Durrës: Piktorët Më Të Mirë Shqiptarë, Një Javë Së Bashku Për Krijimin Kushtuar Detit
DURRES 13 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.
Durrësi dhe deti do të jenë muza e 38 piktorëve të njohur shqiptarë, të cilët kanë pranuar ftesën e menaxherit të artit Çaush Vathi për tu bërë pjesë e projektit "Kolonia e piktorëve në ditën e detit".
Thirrjes artistike për tu frymëzuar nga deti i është përgjigjur edhe mjeshtri i madh i penelit Omer Kaleshi, i cili ka mbërritur enkas nga Parisi tre ditë më parë. Së bashku me të në qendra të ndryshme arkeologjike e historike apo përballë detit këto ditë në Durrës mund të takosh piktorët shqiptarë me përvojë 30-40-vjeçare Zef Shoshi, Kujtim Buza, Buron Kaceli, Ksenofon Dilo, Pashk Pervathi, etj- tha për ATSH-në drejtuesi i projektit Çaush Vathi.
Artistët ndodhen së bashku në Durrës që nga dita e hënë dhe po punojnë për të krijuar enkas për Ditën e Detit, e cila tradicionalisht festohet më 15 maj. Krijimet e arteve pamore të këtyre ditëve frymëzuar nga deti dhe qyteti antik do të paraqiten në Sallonin e Arteve që përurohet ditën e shtunë në Plazhin e Durrësit.
Piktori Omer Kaleshi, i cili mbrëmjen e kaluar morri pjesë në një diskutim krijues me artistë dhe intelektualë durrsakë për projektin e një monumenti kushtuar një prej poetëve disidentë, tha për ATSH-në se ndjehet i gëzuar mes kolegëve shqiptarë të të gjitha moshave. "Për herë të fundit unë kam qenë në Shqipëri 7-8 vjet më parë dhe bashkë me mikun tim Sadik Kaceli kemi shëtitur dhe marrë plot përshtypje në qytete të ndryshme të vendit. Këto ditë në Durrës do të punoj temën e detit, çka përbën një rast shumë të mirë për të qëndruar dhe punuar nga afër me piktorët më të rinj shqiptarë"-u shpreh mjeshtri Kaleshi, që punon prej vitesh në Paris dhe që është bërë mjaft njohur për pikturimin modern të portreteve njerëzore.
Në grupin e artistëve bien në sy edhe bashkëshortët piktorë nga Shkodra Zhaneta dhe Agim Kadillari, Ikbal Kalaja, Aleksandër Lleshi dhe Mehmet Alo (Ulqin), i cili do të hapë sot një ekspozitë personale në Durrës. /a.gj/