Durrës: Shoqata "Çamëria", Përmendore Për Poetin Disident, Bilal Xhaferi
DURRËS, 13 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Skulptori Idriz Balani bashkë me arkitektin Indrit Hamiti prezantuan bocetin dhe projekt-idenë për një përmendore kushtuar shkrimtarit dhe poetit disident, Bilal Xhaferri në veprimtarinë e përbashkët të shoqatave "Çamëria" dhe "Bilal Xhaferri" në odeonin "Nikolin Xhoja" në Durrës, në 19-vjetorin e krijimit të shoqatës atdhetare "Çamëria".
Në prani të autoriteteve vendore dhe deputetëve të qarkut, drejtues lokalë të shoqatës "Bilal Xhaferri" folën për poetin që vdiq në rrethana misterioze pas arratisjes në SHBA. Bilal Xhaferi u formua si intelektual në Durrës dhe në rrethinat e qytetit bregdetar, ku familja e tij u vendos pas dëbimit të qindra familjeve nga Çamëria.
"Vitet e fundit të qëndrimit dhe prodhimtarisë së tij artistike në Shqipëri, i përkasin Durrësit, qytetit të cilit ai i kushton edhe një poemë të veçantë," nënvizuan folësit Namik Mane e Bardhyl Agasi, të cilët mbështetën idenë e ngritjes së përmendores, si dëshmi e sakrificës së shumë familjeve çame, që u dëbuan forcërisht nga trojet e tyre dhe gjetën mikpritje në Durrës.
Në takim u promovua dhe romani "Mbretëria e Pirros së Epirit", shkruar nga prof. dr. Resmi Osmani, mjaft i vlerësuar për punën qëmtuese që e ka bërë mjaft të njohur për prodhimtarinë e tij të profilit tekniko-shkencor me 19 tituj dhe afro 150 artikuj të publikuara në revista të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Takimi i ngjeshur në informacion solli për pjesmarrësit e shumtë disa nga figuart e ndritura e të shquara të Çamërisë./ch/