English

Durrës: Suedzët E "Hap E Mbyll Kutitë", Në Festivalin E Dancit Modern

DURRËS, 13 Maj/ATSH-Gëzim Kabashi/- Katër kërcimtarë të kompanisë teatrore suedeze "Rytm ba" kanë argëtuar mbrëmjen e kaluar publikun e shumtë që po ndjek edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern që organizohet nga shoqata "Bukuroshja e Durrësit" me mbështetjen e MTKRS dhe bashkisë së qytetit bregdetar. Artistët solistë Conny Jansson, Peter Lagergren, Conny Laxell dhe Kerstin Abrahason, që u prezantuan si kërcimtarë, humoristë dhe bateristë të orkestrës "Motion", sollën përvojën e tyre 11 vjeçare në fushën e teatrit alternativ, duke krijuar një atmosferë hareje në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Kërcimtarëve suedezë u kanë mjaftuar vetëm disa kuti të formateve të ndryshme, të cilat i shfrytëzuan jo vetëm si elementë të dekorit, por edhe si daulle dhe trompeta duke ngjallur entuziazmin e spektatorëve durrsakë. Në përfundim të shfaqjes, që zgjati më shumë se 45 minuta artistët nga vendi nordik kanë nxitur me sukses shikuesit të luajnë muzikë vetëm duke shfrytëzuar lëvizjet e duarve. Kompania teatrore Rytm Ba ka dhënë mbi 1000 shfaqje në Suedi dhe vende të tjera të Evropës. Kjo ishte mbrëmja e 6-të e këtij edicioni, pas interpetimeve të trupave nga Spanja, Zvicra, Izraeli, SHBA dhe Hungaria. Kompania suedeze do të performojë sot në mbrëmje në sallën Black Box të Akademisë së Arteve në Tiranë, ndërsa Festivali do të vijojë ditën e hënë me trupën e kompanisë "Ballet actuel". Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern ka nisur më 1 maj me shfaqjen The light nga trupa spanjolle Jesus Quiroga dhe do të mbyllet më 28 maj me shfaqjen No.Thing të trupës trupës zvicerane "Linga Co". Në këtë edicion jubilar, që për herë të parë shtrihet në një muaj, një pjesë e kompanive të huaja kanë ardhur me prodhimet e viteve 2009-2010 dhe gjatë këtij edicioni po shfaqen edhe disa premiera botërore. Festivali i Dancit ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, Hollanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Greqia, etj./ch/
KOMENTE