Durrës, 13 maj, NOA - Në kuadër të sezonit të madh të eventeve “Dy Popuj, Një Det, një Miqësi” do të zhvillohet në qytetin e Durrësit, edicioni shqiptar i “Are Rock Festival”.
Data 14 mars do të hapë këtë festival në Tiranë, në “Charl’s Bistro”, ndërsa pritet më 15 maj, ora 20.00 eventi i madh i muzikës rock në Sheshin Taulantia në Durrës .
Pjesëmarrës në këtë natë do të jenë grupi “Kthjellu”, “Burn”, “Akustik Histori” dhe këngëtarja italiane Erica Mou, “La fame di Camilla”.
“Are Rock Festival” është një festival, i cili zhvillohet çdo vit në Italinë e Jugut. Ky festival është një konkurs kombëtar, i cili zhvillohet nga shoqata evropiane Europa Giovane, me qendër në Barletta.
Festivali mbetet i hapur për grupet dhe muzikantët e rinj të të gjitha rrymave (rock, alternative, post, new-wawe, punk, electro, etj).
Publiku shqiptar do të ketë mundësinë të njihet me dy fituesit e edicionit të kaluar “La fame di Camilla” dhe Erica Mou, si dhe disa grupe të tjera si “Leitmotiv”, “Camillore”, “One way ticket”.
m.s/NOA