English

Edi Paloka: Mos ua qani hallin grevistëve, se janë si kokrra e mollës

Tiranë, 13 maj, NOA – “Mos kini merak për grevistët e Partisë Socialiste se janë si kokrra e mollës”, u është drejtuar në Kuvend deputeti Edi Paloka, kolegëve të tij demokratë, të cilët gjatë fjalimeve të tyre në seancë plenare kanë treguar edhe nota shqetësimi për gjendjen e shëndetit të grave greviste.

“Unë e kuptoj se duhet të jemi edhe tolerantë për dhimbjen njerëzore, por kur nuk e kanë vetë ata këtë hall pse ta kemi ne? Le të jenë burrat që t’u vijë keq për gratë e tyre kur pohojnë se po bëjnë dush poshtë zyrës së Berishës”, ironizoi më pas deputeti i PD-së gjatë fjalës së tij në parlament.

Ndër të tjera, ai tha se “Skënder Gjinushi dhe Namik Dokle, kanë dalë në shesh dhe u bëjnë thirrje shqiptarëve gjoja në emër të demokracisë”.

“Ish-kryeredaktori i Zërit të Popullit dhe ish-ministri i Arsimit të Enver Hoxhës na akuzojnë ne se gjoja nuk duam Evropën dhe ju thoni se neve na vjen keq për ata, po për kë të na vijë keq? Për dy fosile të vjetra që nga koha e komunizmit, të cilët nuk po flisnin me nota aq të dhimbshme për ju sa ç’po flisni ju për ta”, përfundoi Paloka.

n.e/NOA

KOMENTE