Është koha që të hapim një rrugë të re, është koha që të bëjmë transparencë që rruga e re të hapet. Është koha që të gjithë bashkë të kuptojmë se kështu nuk vazhdohet më dhe se për të vazhduar kemi nevojë për rregulla të reja, kemi nevojë për një kornizë të re të bashkëjetesës në këtë vend, kemi nevojë që ti nënshtrohemi që të gjithë njësoj Kushtetutës dhe ligjeve të Shqipërisë dhe kemi nevojë që ligjet ti kthejmë nga letra që ja tregojmë Evropës për sa progres kemi bërë, me reformat me detyrim për tu zbatuar nga i pari tek i fundit
Nga Edi Rama*
Fjalën e parë e kam sot për ca drejtues policie, e për ca ta ashtuquajtura forca speciale, që keqpërdorën uniformën e policisë së shteti, sidomos dje. Në gjithë Shqipërinë u bënë protesta paralele me grevën e urisë, e me protestën e madhe të çdo pasditeje në orën 18.00 këtu në bulevard. U bënë në akset kombëtare, në asnjë mënyrë për të bllokuar lëvizjen e qytetarëve, por për të vënë në lëvizje Shqipërinë e bllokuar, demokracinë e bllokuar, drejtësinë e bllokuar, ekonominë e bllokuar. Ishin protesta sensibilizuese, manifestime të rezistencës paqësore. Shfaqje të solidaritetit qytetar me grevistët e urisë. Aty ku policia respektoj protestën dhe protestuesit, gjithçka shkoi normalisht për të gjithë. Ndërsa aty ku drejtues të ndryshëm të policisë, sidomos si dje në Korçë, u sollën harbutërisht, gjërat shkuan keq në radhë të parë për imazhin e policisë dhe për integritetin moral dhe ligjor të saj.
Nuk jam i habitur qe sot nuk pati asnjë shprehje normale apo formale ndjese nga ana e Ministrit të Brendshëm, për sjelljen vandale të policisë dje ndaj Pandeli Majkos, deputet i opozitës dhe dy herë kryeministër i Shqipërisë, si pasojë e harbutërisë të një drejtuesi të policisë.
Dhe të gjithë ata, pa përjashtim, që sot marrin rrogën e shteti për ti shërbyer qytetarëve duke garantuar ligjin, duhet ta fusin mirë në mendje, që një ditë sado e largët, është shumë e afërt. E se gjithçka bëjnë sot, duhet ta bëjnë duke patur parasysh edhe atë ditë. Historia e ka treguar se pushtete që duken se do të jenë aty përgjithmonë, janë pushtet që do të bien shumë më shpjet, sesa pushtete të tjera që duken sikur janë aty përkohësisht. Përkohësisht janë, si në çdo demokraci. Sigurisht që unë nuk them që ministrit të brendshëm duhet ti vijë turp sot që nuk u shpreh për incidentin djeshëm me Pandeli Majkon, sepse ministri i brendshëm i këtij vendi nuk ka sesi të ketë turp, pasi është pikërisht aty ku s’duhet se drejtësia nuk është aty ku duhet. E si një njeri që vendin në qeveri e ka në fakt strehë për tu mbrojtur nga drejtësia, për përfshirjen në aferën më të madhe korruptive të këtyre 20 vjetëve të fundit, ky ministër është në fakt shëmbëlltyra më e qartë e këtij pushteti në kërkim.
Turp, nuk ka turp më të madh. Vritet gjimnazistja në klasë, vriten njerëzit me njëri tjetrin dhe nuk ka një komunikatë të menjëhershme për të shpjeguar çka ndodhi, pse ndodhi dhe çfarë po bëhet. Ndërkohë që kemi parë nuk e di sa komunikata dje dhe pardje, vetëm e vetëm për të bërë presion mbi protestuesit e opozitës. Turp.
Ky është një pushtet në kërkim. Ky pushtet ka grabitur votat për të vazhduar të grabisë Shqipërinë. Ky pushtet po e rrënon ekonominë drejt një pike ku ekonomia mund të rrënojë përsëri Shqipërinë. Sot e morën vesh të gjithë që për të hedhur ca para në arkën e zbrazur të shtetit, sa për të shtyrë dhe ca kohë e për të vazhduar të tërhiqet zvarrë, qeveria u kuturis ti shes Bankës së Shqipërisë, Hotel Dajtin. Ose e njëjta gjë, Banka e Shqipërisë u detyruar ti blej Hotel Dajtin qeverisë. Ndërkohë që i pari i qeverisë inauguron kush e di për të disatën herë, fillime e përfundime punimesh të një viti më parë. Duke bredhur me podiumin e fushatës së një viti në më parë, nëpër Shqipërinë që sot një vit pas asaj fushate ka humbur 100 mijë vende pune, ka tretur në hiç qindra miliona euro, në tunelin e shembur të Kalimashit, apo në ato 11 mijë ha të përmbytura të Shkodrës. Ka rritur si asnjëherë në këto 20 vjet brenda një viti, borxhin publik, ka njohur rritjen më të madhe të çmimeve, dhe rënien më ta madhe të fuqisë blerëse, të familjeve shqiptare në këto 20 vjet. Ka hyrë në fazën e një degradimi të përditshëm të shtetit, vetëm për interesa e qëllime të pushtetit.
Flet Sali Berisha për grevën e urisë, thotë se do respektojë të drejtën tonë për të protestuar. Faleminderit por ne nuk kemi dal në protestë për këtë të drejtë, se për këtë nuk e pyet kush zotërinë tënde. Protestën e kemi bërë e do ta bëjmë pa u ndalur. Këtu nën dritaret e zyrës tënde e në të gjithë Shqipërinë, derisa të fitojmë të drejtën elementare të transparencës. Kjo është e drejta që duhet të respektojë Sali Berisha. E për këtë të drejtë, motra dhe vëllezër tanë po shkojnë përditë në spital, pa futur gjë në gojë, pash 13 ditë.
Mirënjohje, respekt, admirim pa kufij për të gjithë ju. Për Ledi Shamkun që na u desh tërë paraditja ta bindnim, që tu bindet mjekëve pas një rëndimi shumë të rrezikshëm. Për çunat sot në spital, të cilët përsërisnin atë që të gjithë përsërisin, padurimin për tu kthyer në çadrën e urisë. Për mjekët dhe infermierët që po ju rrinë në kokë, të habitur përditë e më shumë me analizat që tregojnë vërtetësinë e kësaj greve, e me forcën e këtyre njerëzve të pa ngrënë prej 13 ditësh, të cilët dëshmojnë përmes kësaj greve të pashoqe urie, fuqinë e kurajos qytetare, në një vend ku frika ka hyrë në çdo vend.
E firmosa peticionin e qeverisë kundër grevës, më tha një mjek, sepse jam në bukën e qeverisë. Por jam i çuditur nga vendosmëria e atyre njerëzve e shpirtërisht jam me ta. Në bukë të qeverisë thoshte Çajupi, me shpoti në Shqipërinë e kohës së vjetër. Dhe ne jemi këtu që Shqipëria e kohës re të mos jetë më në bukën e qeverisë. Ne jemi këtu që Shqipëria e kohës së re të mos ketë frikë të fasë me zemër, se humbet pastaj bukën e qeverisë. Ne jemi këtu që Shqipëria e kohës së re, të mos ketë frikë të mendoj me shpirt, se pastaj humbet bukën e qeverisë. Ne jemi këtu që Shqipëria e kohës së re të mos ketë frikë të votojë me zemër e me mendje të lirë, nga frika se e humbet bukën e qeverisë. Ne jemi këtu që Shqipëria e kohës së re të mos jetë në bukën e qeverisë. Por qeveria ti mundësojë çdo shqiptari e shqiptareje që bukën të fitoj me punën e vetë të ndershme dhe për kushtet e punës së vetë ti kërkojë llogari qeverisë.
Ne jemi këtu që të marri fund historia e qeverisë që jep bukën dhe e tregut që nuk jep punën. Që të marri fund historia e Shqipërisë që sot ka aq % të ardhura me BE-në saç kishte në vitin 1910. Aq saç merrnin shqiptarët në vitin 1910 në raport me ata që jetonin në territoret ku sot shtrihet BE-ja, aq marrim sot. Edhe ne këtu, aq marrin sot shqiptarët kudo që janë.
Ne jemi këtu që Shqipëria e kohës së re të mos ketë gjysmën e fuqisë për punë, rrugëve, të varfër, të pashpresë. Ndërkohë që kryeministri që e ndan bukën e qeverisë sipas shërbimeve të secilit për qeverinë, të mos guxojë më të thotë se bota duhet të ka ketë zili meqë kemi atë kryeministër, e meqë jetojmë në një mirëqenie që askush sot nuk e ka, se e gjithë bota qenka në krizë, vetëm ne jo.
Ne jemi këtu që Shqipëria e kohës së re të jetë një Shqipëri që punon, të jetë një Shqipëri që prodhon, të jetë një Shqipëri që krijon mirëqenie duke shfrytëzuar hapësirat e pakufishme të lirisë dhe jo një Shqipëri ku qeveria që i mban me bukë shërbëtorët e vet, kurse të tjerëve ju thotë nuk keni bukë po u morët me mua. Të thotë se në fshatin shqiptar nuk paska asnjë të papunë, se në fshatin shqiptar të gjithë qenkan të vetëpunësuar, se në fshatin shqiptar të gjithë i paskan zgjidhur problemet dhe qeveria nuk ka se ç’bën tjetër veçse ta regjistrojë fshatin shqiptar si problem të zgjidhur.
Motra dhe vëllezër, ju që jeni këtu të pranishëm, të gjithë ju që e ndiqni të panumërt këtë protestë nga ekranet e televizioneve ejani nesër në orën 18:00 këtu që të gjithë.
Ejani nesër në orën 18:00 këtu sepse bëhen dy javë nesër nga ngritja e kësaj çadre. Bëhen dy javë nesër që Ermonela, Shega, Olta, Anila, Mimoza, Flora janë këtu brenda për të gjithë ne, janë këtu brenda për të gjithë ju. Janë këtu brenda jo vetëm për fëmijët e tyre, por edhe për fëmijët tuaj. Janë këtu brenda që qeveria të ndihmojë çdo shqiptarë e shqiptare që ta fitojë bukën duke fituar lirinë dhe të drejtën e punës së ndershme.
Ejani nesër në orën 18:00 këtu që të gjithë sepse këtu në këtë çadër është edhe Elsa Lila, artistja që e ka pasaportën italiane, artistja që e ka jetën e saj në Itali, artistja që është këtu simbol i indinjatës së të gjithë atyre emigrant dhe emigranteve që sigurojnë votues në kutitë e Ruzhdieve të Shqipërisë, ndërkohë që nuk kanë qenë fare në Shqipëri dhe që kërkojnë me plot të drejtë lirinë dhe të drejtën e tyre për të votuar. Ata të cilët e mbajnë në këmbë ekonominë e këtij vendi, ata të cilët i mbajnë në këmbë familjet shqiptare, që në rrugën e papunësisë, në rrugën e varfërisë, në rrugën e mungesës së shpresës, nuk do t’ia dilnin dot kurrë një muaj, jo më vite të tëra me këtë qeveri e me qeverira që asnjëherë nuk kanë dashur të bëjnë më shumë sesa ti marrin peng shqiptarët në bukën e qeverisë.
Ejani nesër në orën 18:00 që të gjithë në solidaritet me ata që prej dy javësh, jo vetëm janë këtu ditë e natë, por janë këtu të pangrënë për të dëshmuar me forcën e stërmundimit të tyre, stërmundimin e të vërtetës në një betejë me gënjeshtrën.
Ejani nesër në ora 18:00 sepse bëhen dy javë, bëhen dy javë që Fatmiri, Pirro, Eltari, Arbeni, Iliri, Ervini, Gjovalini, Gazi, gruaja e të cilit pret me ditë fëmijën e parë, Blendi Klosi njeri që po sfidon çdo kufij të shkencës duke qëndruar aty përballë një rreziku që i kanoset çdo ditë për shkak të problemit shëndetësor që ka dhe të cilin ende nuk po e bindim dot se duhet të dalë.
Ejani nesër në ora 18:00, për Arbenin tjetër, për Skënderin, Taulantin, Agimin, për Besnik Baren që pasi morri serumet në spital u rikthye ne çadër, për të luftuar bashkë me ata djem dhe vajza, burra dhe gra që sot meritojnë respektin e çdokujt, jo vetëm respektin e mbështetësve të opozitës, por respektin e çdo shqiptari dhe shqiptareje. Turp për ata që kanë guxuar dhe guxojnë të hedhin fjalë shpotitëse mbi këta njerëz që sot dëshmojnë se në Shqipëri është e mundur një betejë për lirinë, se në Shqipëri është e mundur një betejë për parime dhe vlera pa të cilat bashkëjetesa jonë në këtë vend bëhet e pakuptimtë dhe pa të cilat qeverisja në këtë vend do të mbetet një sundim për ta mbajtur të tërë popullin e gjunjëzuar me bukën e qeverisë.
Ejani në këtë bulevard nesër në ora 18:00. Aty brenda është edhe Artan Gaçi, që nga çadra u jep kurajo të gjithëve jashtë. Ndërkohë që plot kalemxhinj dhe dauellxhinj të pushtetit e përqeshin, e shpotisin, e marrin nëpër gojë këtë grevë urie duke thënë gjithçka. E dini pse? Sepse janë njerëz të trembur, janë njerëz që për të justifikuar frikën e tyre janë në gjendje ti hidhen kujtdo që nuk bën kompromis me lirinë e tij. Janë njerëz që frikën e tyre e konsiderojnë mençuri dhe Shqipërinë e konsiderojnë një vend që nuk bëhet, ja kjo është Shqipëria, kështu ka qenë gjithmonë, kështu do të jetë gjithmonë. Dhe më i zoti është ai që përpara sesa të mësojë rregullat, mëson hiletë dhe me hiletë nuk lë pastaj që të vendosen rregullat. Kjo mund të ketë qenë Shqipëria, por kjo nuk duhet të jetë Shqipëria. Kjo mund të jetë sot Shqipëria, por kjo nuk do të jetë nesër Shqipëria.
Motra dhe vëllezër, dua t’ju them që të gjithëve se duke takuar përditë të gjithë ata që janë në këtë çadër dhe duke i parë në sy, duke parë gratë e shpuara nga gjilpërat e serumeve, duke ndjerë stërmundimin e tyre, por duke e prekur në fjalët e tyre, në vështrimin e tyre, në gjestet e tyre vendosmërinë dhe kurajën. Unë kam privilegjin e madh të shikoj kontrastin e tmerrshëm mes nesh që luftojmë për një kauzë të drejtë sa vetë liria dhe të drejtat e njeriut, dhe atyre që për pushtetin e kanë lirinë që të kushtojë shtrenjtë. I kanë bërë të drejtat e njerëzve si licencë që i jep qeveria. E kanë bërë të vërtetën një shënjestër të përdhunimit të përditshëm, si të qe gënjeshtër dhe gënjeshtrën zëdhënëse të së vërtetës ditë pas ditë. Kjo çadër është simboli i përbuzjes së frikës, që pushteti i votave të vjedhura ka kallur me bukën e qeverisë. Kjo çadër është simboli i përbuzjes së frikës që pushteti i votave të vjedhura ka futur në shpirtin e atyre që për rrogën që ushqejnë familjen janë të rrahur përditë në dinjitetin e tyre, janë të shkelur përditë në liritë e tyre, janë të dhunuar përditë në të drejtën e tyre për të thënë atë që mendojnë dhe për të menduar atë që thonë.
Është koha që të hapim një rrugë të re, është koha që të bëjmë transparencë që rruga e re të hapet. Është koha që të gjithë bashkë të kuptojmë se kështu nuk vazhdohet më dhe se për të vazhduar kemi nevojë për rregulla të reja, kemi nevojë për një kornizë të re të bashkëjetesës në këtë vend, kemi nevojë që ti nënshtrohemi që të gjithë njësoj Kushtetutës dhe ligjeve të Shqipërisë dhe kemi nevojë që ligjet ti kthejmë nga letra që ja tregojmë Evropës për sa progres kemi bërë, me reformat me detyrim për tu zbatuar nga i pari tek i fundit. Dhe ne jemi këtu të vendosur që ta çojmë përpara këtë betejë.
E kam thënë dhe e përsëris pa u lodhur askujt mos i shkojë mendja se ne mund të lodhemi, se ne mund të zmbrapsemi, se ne mund të dorëzohemi. Ne jemi këtu në betejë. Nuk duam pushtetin në tavolinë, por duam që në tavolinë të bëhet transparenca në mënyrë që kurrë më pushteti të mos burojë nga fuqia e vetvetes që të mos lejojë popullin të zgjedhë, por populli të zgjedhë me fuqinë e votës së tij atë që do ta qeveris. Ky është qëllimi ynë dhe për këtë ne luftojmë sepse jemi të vetëdijshëm që në rast se çlirohet vota, çlirohet liria, çlirohen të drejtat, çlirohen mundësitë dhe energjitë e gjithsecilit, që me votën mund t’i japë fund çdo pushteti që kërkon ta mbajë skllav me bukën e qeverisë.
(*) Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Socialiste, në protestën e datës 13 maj 2010