Feith: Kosova, Përparim Domethënës Në Zbatimin E Planit Ahtisari
- Në konferencën për shtyp me Zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta -
TIRANË, 13 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Peter Feith deklaroi sot, në Tiranë se, "Kosova ka bërë përparim mjaft domethënës në zbatim të planit Ahtisari përsa i përket mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe forcimit të institucioneve demokratike".
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, z. Feith theksoi se, "Shqipëria luan një rol kyç në bashkëpunimin rajonal".
Ai nënvizoi kontributin që jep forcimi i bashkëpunimit rajonal drejt forcimit të stabilitetit në rajon, integrimit europian, zhvillimit ekonomik, por edhe drejt lëvizjes së lirë pa viza.
"Një nga objektivat e rëndësishme në këtë drejtim është zhvillimi i bisedimeve, me qëllim që të kapërcehen problemet dhe çështjet etnike", tha z. Feith, duke vlerësuar mbështetjen e qeverisë shqiptare në drejtim të krijimit të një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë.
Duke u ndalur te zhvillimi ekonomik në Kosovë, z. Feith veçoi projektet në infrastrukturë, si ndërtimin e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe të rrugës së re, që do të lidhë Kosovën me Serbinë.
"Bujaria e qeverisë shqiptare në akordimin e fondit për komunën e Gracanicës përbën një sinjal të qartë dhe pozitiv se vetëm në këtë mënyrë, ne mund të ndërtojmë institucionet dhe të shkojmë me siguri drejt perspektivës europiane", tha z. Feith.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të dalë së shpejti me opinionin e saj lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Në këtë drejtim, z. Feith shprehu bindjen se "pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm".
"Ne besojmë se edhe pas dhënies së opinionit nga kjo Gjykatë, shtetet e shumta që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk do kthehen prapa, por përkundrazi, edhe vendet e rajonit do vazhdojnë të inkurajojnë dhe nxisin më shumë bashkëpunimin e tyre", tha z. Feith.
I pyetur mbi kontrollin që ushtroi EULEKS-i në Ministrinë e Transporteve të Kosovës, z. Feith siguroi se "EULEKS-i ka vepruar mbi bazën e mandatit të tij që është miratuar nga qeveritë anëtare të BE-së dhe qeveria e Kosovës".
"Ky mandat synon mbrojtjen e institucioneve ligjore në Kosovë nëpërmjet ndihmës, mbikqyrjes, këshillimit dhe monitorimit për institucionet e drejtësisë në Kosovë. Ky hetim do vazhdojë më tej", tha Feith./n.m/