English

Feith-Topallit: E Ardhmja E Kosovës Shumë Premtuese

TIRANË, 13 Maj/ATSH/.- Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Peter Feith gjatë takimit sot në Tiranë me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se "e ardhmja e Kosovës është shumë premtuese". Z. Feith, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, gjatë takimit me kryeparlamentaren Topalli theksoi se Shqipëria po bën lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për gjithë mbështetjen e vazhdueshme të parlamentit dhe qeverisë shqiptare. Dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe se nga Shqipëria, ashtu si dhe nga miqtë europianë po bëhen të gjitha përpjekjet për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri. Z. Feith tha se hapat e bëra nga institucionet kosovare, bashkëpunimi me fqinjët, forcimi i shtetit ligjor etj, janë përpjekje shumë pozitive, jo vetëm në zhvillimin e Kosovës, por edhe në rrugën e saj drejt Europës. Kryetarja e Kuvendit i shprehu z. Feith vlerësimin për punën dhe kontributin e tij personal dhe të misionit të BE-së në Kosovë. Ajo vuri në dukje intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare mes Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, duke i cilësuar ato "model". Znj. Topalli u ndal edhe në zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se vendi është në momentet kur pret heqjen e vizave, ndërsa parlamenti i ka miratuar të gjitha ligjet që janë pjesë e detyrimeve për këtë proces. Duke folur për reformat e realizuara në vend, Kryetarja e Kuvendit theksoi se procedurat online dhe dixhitalizimi, kanë bërë që lufta ndaj korrupsionit të jetë efikase dhe Shqipëria të ngjitet në klasifimimin e Transparency International. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Peter Feith vizitoi sot Tiranën ku u takua me autoritetet më të larta të vendit, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. /a.s/
KOMENTE