English

Imami:Shqipëria E Angazhuar Për Të Kontribuar Në Isaf

- Gjatë takimit të vendeve që kontribuojnë në misionin ISAF në Afganistan- TIRANË, 13 Maj/ATSH/.-Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin informal të vendeve që kontribuojnë në misionin ISAF në Afganistan, që u mbajt në 11 maj në Berlin, konfirmoi angazhimin e Shqipërisë në këtë mision paqeruajtës. Sipas një njoftimi të sotëm nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë takimit në Berlin, ku morën pjesë ministrat e Mbrojtjes të disa vendeve anëtare të NATO-s dhe atyre partnere, u shkëmbyen mendime mbi perspektivën e angazhimeve të ISAF në përgjithësi dhe veçanërisht në Komandën Rajonale të Veriut, me qellim rritjen e efektivitetit të veprimeve ushtarake e civile në terren. Ministri Imami deklaroi gjatë këtij takimi dhe kontributet shtesë që Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të japin në ISAF, duke përfshirë 5 ushtarakë shtesë në Komandën Rajonale të Veriut, ku aktualisht kryejnë detyrën 2 ushtarakë shqiptarë, në një OMLT me palën gjermane. Në takim u theksua se një Afganistan i stabilizuar i shërben sigurisë rajonale e globale, paqes e stabilitetit dhe për të arritur këtë mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është e rëndësishme e duhet të vazhdojë. Nga ana tjetër u nënvizua fakti se koordinimi më i mirë i veprimeve civile me ato ushtarake në terren do t'i shërbente përmirësimit të situatës së sigurisë në terren dhe rritjes së besimit të popullatës tek qeveria, Forcat e Armatosura afgane dhe institucionet e këtij vendi. Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri Imami u takua dhe me homologun e tij maqedonas, Zoran Konjanovski. Ata shprehën vullnetin për zhvillimin më tej të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë të përballimit të emergjencave civile, si në planin dypalësh, ashtu dhe në atë rajonal./a.s/s.s./
KOMENTE