Tiranë, 13 maj, NOA – Është acaruar në maksimum gjuha mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, akuzoi sot forcat e rendi dhe Kryeministrin Sali Berisha se në vend kanë sjellë klimën e vitit 1997.
Në reagimin e deputetit të PS-së, listohen emrat e drejtuesve të Policisë, të cilët sipas Tahirit, i shërbejnë Kryeministrit Berisha. Ndërsa ka akuzuar Kryeministrin dhe për futjen e urrejtjes krahinore, duke përdorur militantë ekstremistë.
“Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij Tonin Vocaj, Gjergj Jorgo, Krenar Ahmeti, Aleks Hajdari, Emri Vata, Ivzi Bushati, Bernard Caushaj e të tjerë, bëjnë mirë të kujtojnë se çdo akt dhune ndaj kujtdo protestuesi, do konsiderohet akt dhune ndaj të gjithë socialistëve, deputetëve e qytetarëve të thjeshtë që mbështesin kauzën tonë të drejtë”, u shpreh ai.
Po nga ana tjetër, Tahiri ka folur dhe për ndarje krahinore dhe forca rezerviste që përdoren nga qeveria për të mposhtur protestat, duke bërë që në këtë mënyrë debati të kalojë në një rrafsh më të gjerë sesa protesat për transparencën dhe kutitë.
“Mbjellja e urrejtjes krahinore dhe ndërzimi i militantëve ekstremistë, tashmë të punësuar në nivelet më të larta të policisë së shtetit, rekrutimi dhe përdorimi i rezervistëve si ata të 97-ës, përdorimi i dhunës verbale e fizike si dhe i substancave kimike ndaj qytetarëve protestues, është shprehje fashiste e një kryeministri që e do pushtetin më shumë se vetë vendin e tij”, u shpreh sot deputeti i PS.
Reagimi i PS-së vjen pas një sër incidentesh në Korçë dhe në qytete të tjera të vendit, ku protestuesit e PS-së pretendojnë se janë goditur nga policia.
Tahiri argumentoi se PS është njohur “nëpërmjet mediave me mënyrën sesi segmente të caktuara të policisë së shtetit, ushtruan dhunë fizike ndaj qytetarëve të thjeshtë, që kërkojnë transparencën e zgjedhjeve dhe ndaj deputetëve të Partisë Socialiste”.
Nisur nga kjo, deputeti i PS-së deklaron se vendi po shkon drejt dhunës ekstreme.
“Sali Berisha po rrëshket dhe një herë në spiralen e dhunës ekstreme, vetëm për të mbrojtur vjedhjen e zgjedhjeve, tamam siç dogji treçerekun e vendit në 97-ën për të mbrojtur vjedhjen e kursimeve të shqiptarëve”, u shpreh ai.
Duke shprehur qëndrimin e palëkundur të PS-së për vijimin e protestave, Tahiri shton se selia rozë respekton punën e “efektivët e thjeshtë të policisë së shtetit, të cilët njësoj si të gjithë shqiptarët e ndershëm, po shfrytëzohen si skllevër për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve të opozitës dhe ndaj deputetëve të saj”.
Ndërsa duke u ndalur në aktet e dhunës, deputeti i PS-së shton se çdo cenim “do të konsiderohet akt dhune ndaj të gjithë ne, dhe si i tillë, absolutisht i pa pranueshëm”.
Në këtë linjë ai u bënë thirrje drejtuesve të policisë që të respektojnë ligjin, pasi në të kundërt, “dora e ligjit do të bjerë mbi ta, me një forcë që tani as e marrin dot me mend dhe se nuk do të ketë asnjë mburojë politike a personale që do të mund ti shpëtojë nga përgjegjësia ligjore”.
Ndër të tjera, Tahiri argumenton se protesta është një e drejtë themelore e njohur Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Për këtë arsye, kufizimi i të drejtës për të protestuar, nuk mund te jetë më i madh sesa kufizimi që vetë protesta shkakton në lirinë e lëvizjes. Veprimet e dhunshme të policisë së shtetit, nuk janë proporcionale e si të tilla synojnë cënimin e vetë thelbit të së drejtës për të protestuar”, përfundon deklaratën e tij deputeti i PS-së, Saimir Tahiri.
m.xh/NOA