Kosovë - Autostrada Morinë-Merdare, Front I Rëndësishëm Punësimi
PRISHTINË, 13 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Autostrada Morinë-Merdare do të jetë një front i rëndësishëm i punësimit në vend, tha sot ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. Ai mori pjesë në hapjen e panirit të shtatë të punësimit, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, USAID-i dhe kompania "Bechtel &Enka", bëhet e ditur në njoftimin e ministrisë.
"Investimi më i madh i qeverisë së Kosovës, projekti më i madh në infrastrukturën e vendit, autostrada Morinë-Merdare do të jetë një front i rëndësishëm i punësimit në vend. Bechtel dhe Enka po përmbushin sot një angazhim të marrë publikisht dhe përmes kontratës me qeverinë e Kosovës për të rekrutuar dhe punësuar staf lokal dhe jam i bindur që ky proces do të jetë zinxhir nga puna në terren deri tek shërbimet mbështetëse në të gjithë vendin", tha Limaj.
Sipas tij, "qeveria po punon intensivisht për të rritur hapësirat për investime të huaja dhe lehtësuar procedurat për nisjen e bizneseve vendase, çka do t'i jepte një shtysë të madhe ekonomisë në vend dhe sektorit të punësimit në veçanti".
Projekti i ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare, sipas përllogaritjeve do të kushtojë rreth 700 milionë euro dhe do të krijojë me mijëra vende të reja pune. Ajo është vazhdim i autostradës Durrës- Morinë, që përfundoi vitin e kaluar në Shqipëri. /s.s./