English

Kosove - Ne Seancen E Kuvendit Urohet Sabri Hamiti Per Urdherin "Gjergj Kastrioti Skenderbeu"

PRISHTINË, 13 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Kosovës në fillim të seancës së sotme uroi deputetin dhe anëtarin e Kryesisë së tij, intelektualin e njohur kosovar, Sabri Hamiti, për dekorimin me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Dekorimin me Urdhrin e lartë, në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë ditë më parë, me motivacionin "Për kontributin e pazëvendësueshëm në mendimin modern shqiptar në studimet albanologjike si dhe për rolin e luajtur në përballimin e sfidave historike me të cilat u ndesh populli shqiptar në fund të shekullit XX", fillimisht ia uroi kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, duke theksuar se ky është nder dhe respekt edhe për Kuvendin dhe Kosovën. Këtij urimi për profesor Hamitin, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emerin e tij personal, iu bashkua edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, drejtues i seancës. Kuvendi i Kosovës ka nisur sot një seancë plenare, ku do të shqyrtojë dhe pritet te miratojë disa ligje të rëndësishme për shtetin e ri, ndër të cilët, atë për shërbimin civil, për shpronësimin e pronës së paluajtshme dhe për efiçiencën e energjisë. /a.ke/
KOMENTE