English

Kujdeseshin për fëmijën virtual të kompjuterit, u vdes fëmija i vërtetë

Seul, 13 maj, NOA - Ka qenë fatale për një fëmijë tre muajsh në Korenë e Jugut pasioni i prindërve të tij për lojërat online.

Sipas agjencisë së lajme koreane-jugore Yonhap, prindërit e pavëmendshëm: burri 41 vjeç dhe gruaja 25 vjeçe, u arrestuan në Suveon, një qytet në jug të kryeqytetit Seul, pas pesë muajsh në arrati.

Të dy ishin larguar pas vdekjes së fëmijës së tyre. Ky rast kishte krijuar dyshime te mjekët. Autopsia kishte treguar se fëmija kishte vdekur nga kequshqyerja.

Nga hetimet doli që çifti, të dy të papunë, ishin takuar falë internetit dhe ishin bërë prindër virtualë në një lojë të quajtur “Prius” ku kishin adoptuar një fëmijë të quajtur “Anima” për të cilën kujdeseshin më shumë se sa për fëmijën e vërtetë.

Duke qenë tërë kohën të zënë në kompjuter, i jepnin për të ngrënë të voglit vetëm një herë në ditë.

"Ata e kishin humbur krejtësisht gjithë kuptimin e realitetit", tha një prej agjentëve të çështjes.

a.k/NOA

KOMENTE