English

Kukës: Sezoni I Gjuetisë Ka Mbaruar, Ndërsa Gjuetia Vazhdon

KUKËS, 13 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Përfundimi prej dy muajsh i sezonit të gjuetisë thuajse nuk ka ndryshuar asgjë në masivet pyjore të rrethit të Kukësit, ndërsa gjuetia, sidomos e lepurit dhe kaprolit, vazhdon me të njëjtat ritme, kryesisht nga gjahtarë që vijnë nga rrethet e tjera. "Është vështirë të parandalohet kjo lloj gjuetie pa bashkëpunimin e komunitetit, pasi të ardhurit nga rrethet e tjera shoqërohen gjithnjë nga gjahtarë vendas", thotë për ATSH-në, kryetari i shoqatës së gjuetarëve të rrethit, Lulzim Lleshi. Problemi është se gjuetia ushtrohet kryesisht natën, gjë që vështirëson kontrollin nëse kryhet vetëm me armë gjahu apo mjete të tjera shfarosëse. Për këtë arsye, gjuetia në këtë periudhë është faktor i shfarosjes së një numri të konsiderueshëm kafshësh të egra. Edhe pse problemi i ngritur prej kohësh, nuk ka gjetur zgjidhje. Inspektorët e Policisë pyjore mund të ndikojnë në ndalimin e këtij fenomeni, por përgjegjësi i tyre, Ilmi Kola thotë se "numri i tyre është i vogël sa për të kontrolluar gjatë gjithë kohës masivet e mëdha të pyjeve". Nga specialistët pohohet se në masivet pyjore të Kukësit janë drejt zhdukjes kafshë të tilla si derri i egër, kaprolli, dhia e egër, dhelpra thëllëza e malit etj. "Ky është një problem që nëse nuk punohet nga të gjithë për t'u parandaluar do të ketë pasoja mjaft të rënda",shton Lleshi. Në zonën verilindore masivet pyjore zënë gjysmën e sipërfaqes. Në to banojnë mbi 300 kafshë e shpendë të egra, një pjesë e të cilave janë drejt zhdukjes. Pavarësisht se problemi njihet, deri tani askush nuk është ndëshkuar për dëmtimin e pasurisë së masiveve pyjore të këtij rrethi. Problem mbetet dhe fakti se pas përfundimit të sezonit të gjuetisë, të gjitha armët duhet të plumbosen nga komisariatet e policisë të rretheve që japin edhe lejen për mbajtjen e tyre. Por fakti se gjuetia vazhdon tregon se edhe kjo masë e detyrueshme është neglizhuar./ch/
KOMENTE