Tiranë, 13 maj, NOA – Ndërsa protestuesit e opozitës janë mbledhur si për çdo pasdite para godinës së Kryeministrisë, në mbështetje të grevistëve të urisë që kanë prej 13 ditësh të ngujuar aty me çadra, në sallën e parlamentit deputetët e mazhorancës janë duke zhvilluar në mënyrë normale punimet e seancës plenare të radhës.
Ata janë duke marrë fjalën gjatë kohës së caktuar për diskutime të lira, gjatë së cilës po lëshojnë akuza ndaj opozitës e cila po përpiqet sipas tyre, të destabilizojë vendin në prag të integrimit dhe heqjes së vizave.
Nga ana tjetër, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, deputetët e opozitës janë duke ngritur zërin me akuza kundër mazhorancës për mosreagimin ndaj kauzës së tyre, siç është ajo e transparencës së zgjedhjeve, edhe pse kanë mëse dy javë që kanë ndërmarrë masën ekstreme të grevës së urisë.
Deputetët socialistë mungojnë kështu, për të dytën javë në parlament, duke rinisur sërish bojkotin ndaj institucionit të legjislativit, sikundër bëri për muaj të tërë që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
n.e/NOA