English

Meta: Zbatimi I Marrëveshjes Së Ohrit Garanton Të Drejtat E Shqiptarëve Në Maqedoni

TIRANË, 13 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi sot mbështetjen e vendosur të qeverisë shqiptare për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Ohrit, si i vetmi kuadër që garanton plotësimin dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Gjatë një konference për shtyp me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së dhe Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Peter Feith, z. Meta theksoi mbështetjen e vendosur të Shqipërisë për stabilitetin e Maqedonisë dhe integritetin e saj. "Dua të theksoj rëndësinë që ka distancimi i të gjithëve nga çdo element apo grup ekstremist që do të kërkonte të krijonte tensione krejtësisht të panevojshme. Është koha për të shikuar para dhe për të lënë pas çdo lloj forme dhe mënyre që jo vetëm nuk sjell zgjidhje, por përkundrazi synon të dëmtojë imazhin e gjithë rajonit tonë", tha z. Meta. Në këtë drejtim, ai siguroi se "Shqipëria do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet e Maqedonisë dhe gjithë faktorët politikë shqiptarë, duke qenë të bindur se edhe ata ndajnë të njëjtin angazhim në këtë drejtim". /s.s./
KOMENTE